Tetë persona humbën jetën mbrëmje e 5 Nëntorit dhe mijëra të tjerë u plagosën në natën e parë të festivalit dy ditor Astroworld të reperit Travis Scott në Hjuston të SHBA-së.
Rreth 50 mijë njerëz janë mbledhur në parkun Six Flags për eventin e përvitshëm muzikor, por askush nuk e mendonte se do përfundonte me viktima të moshës 14-27 vjeç.
Shenjat e para se mund të kishte incidente janë vënë re gjatë paradites teksa njerëzit ja kishin dalë të thyenin gardhin e sigurisë dhe të futeshin në koncert pasi të gjitha biletat ishin shitur.
Kim Kardashian, Drake dhe Travis Scott kanë folur për ngjarjen tragjike që ndodhi në festivalin Astroworld në Hjuston, Teksas. Drake është shprehur se “zemra ime është thyer”.
“Ashtu si të gjithë ju, familja jonë është e shokuar nga kjo tragjedi”, ka shkruar Kim Kardashian.
Një djalë 9 vjeç ka rënë në koma pas lëndimeve të marra gjatë koncertit dhe një studente 22-vjeçare po lufton për jetën e saj.
Këngëtari Travis Scott ka marr përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet e funeralit për tetë viktimat.
FBI i është bashkuar hetimit të ngjarjes që ka ndodhur të premten në Teksas.
Deri tani për reperin dhe organizatorët e festivalit Astroworld janë rreth 18 padi për turmën e madhe që u mori jetën 8 personave dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
Bharti Shahani studentja nga Teksasi po lufton me jetën pas përplasjes në festivalin Astroworld. Truri i saj ka mungesë oksigjeni pas disa goditjesh që ka marrë në zemër. Shanset që ajo të mbijetojë janë të pakta pas gjithë sulmeve që ka pësuar gjatë koncertit.
Ka disa pyetje që ende nuk kanë asnjë përgjigje
Përse nuk u mbyll koncerti më shpejt?
Ka disa momente ku Travis Scott mund ta mbyllte koncertin më shpejt me këngën e tij të fundit që përfundoi rreth orës 22:10.
Mund të kishte ndaluar në 21:30 kur infermierja Madeline Eskins humbi ndjenjat dhe ra përtokë teksa ai vazhdonte të performonte.
Edhe 5 minuta më vonë teksa dy pjesëmarrëse në koncert, Seanna McCarty dhe Ayden Cruz janë filmuar në video teksa i janë drejtuar kameramanëve që të ndërhynin dhe të ndalonin koncertin.
Ose në orën 21:38 kur Departamenti i Zjarrfikësve deklaroi se ka ndodhur një “ngjarje e rëndë ku ka disa viktima” dhe njerëz pa ndjenja në tokë, por nuk u ndal as në këtë moment.
Ai ka vazhduar për rreth 40 minuta performancën pasi incidenti ishte kuptuar.
A mund të kontrollohej turma e njerëzve?
Ajo që ndodhi në Astroworld njihet edhe si “përplasje njerëzore” dhe ngjarje të tilla kanë qenë të zakonshme që prej vitit 1989 ku në stadiumin Hillsborough në vitin 1989 janë vrarë 97 njerëz deri tek katastrofa në Mekë ku vdiqën rreth 2,400 pelegrinë.
Ekspertët thonë se ky është një rrezik i mundshëm për evente të përmasave të tilla, por duhet të ishin marrë masa paraprake për të ndaluar ngjarje të tilla. Dendësia e madhe e turmës mund të kufizohet duke vendosur barriera ndarëse për të siguruar lëvizjen dhe akses të stafit.
A ka pasur sulme “droge”?
Gjatë një konference për shtyp të shtunën oficeri Finner bërë një parashikim tronditës kur tha se një prej oficerëve të sigurisë në koncert mund t’i jetë injektuar drogë nga një person i panjohur.
“Një prej teorive të mundshme që kemi dëgjuar është se një person po injektonte drogë tek pjesëmarrësit. Kemi një deklaratë se oficeri i sigurisë është parë duke ju drejtuar këtij personi për ta ndaluar, por ka ndjerë një shpim në qafë.”
Në rrjete sociale janë përhapur shumë teori se çfarë ka ndodhur në koncert, por ende ka shumë pak prova.
A ishte parashikuar një emergjencë?
Një nga pretendimet më shqetësuese të infermieres Madeline Eskins ishte se stafi mjekësor i Astroworld nuk ishte i trajnuar apo i pajisur siç duhet për t’u marrë me viktimat.
Sipas Associated Press, përgjegjësi i sigurisë ka dorëzuar planin e masave prej 56 faqesh ku parashikoheshin edhe ngjarjet potencialisht të mundshme si incidentet me alkoolin/drogë, nevojat e mundshme për evakuim emergjent apo kërcënime të tjera.
Infermierja ka reaguar me një postim në Facebook ku shkruan se i ka pyetur ku është kutia e ndihmës së shpejtë, ka ndonjë barrelë, ambulancë afër apo çfarë kishin aty. Përgjigja e tyre ishte se nuk kemi asgjë është shprehur ajo.
Shumë fansa të zjarrtë janë kthyer kundër idhullit të tyre, Travis Scott duke nisur disa fushata kundër tij për të mos qenë më prezent në festivale të njohura si “Coachella”. Ndërsa “Day N Vegas” festivali ku ai do të performonte pas disa ditësh ka konfirmuar se reperi nuk do të jetë në listën e artistëve.
Ngjarja është ende në investigim duke përfshirë tashmë edhe FBI. /tvklan.al