Gjeologu italian: Gadishulli Apenin po shkon drejt Adriatikut
Lëkundjet sizmike të kohëve të fundit në Shqipëri, por edhe në Itali, Greqi, Turqi, etj, lidhen me lëvizjen e pllakave tektonike të Euroazisë dhe Afrikës. Profesori italian i Gjeologjisë, Antonio Moretti shpjegon se pllaka afrikane po shtyhet drejt Europës, duke pasur tendencën të fundosë tokën nënujore të Mesdheut Lindor.
“Deti Jon, po ashtu edhe Kalabria dhe i gjithë gadishulli Apenin, po shkojnë drejt Adriatikut për shkak të shtytjes nga pllaka tektonike afrikane. E njëjta shtytje vjen edhe nga Deti i Zi. Kështu toka nën detin e Mesdheut Lindor po fundoset, duke çliruar energji që nxeh shkëmbinjtë, të cilët dalin sipër në formën e magmës”.
Gjeologu italian thotë se këto lëvizje të pllakave tektonike janë normale, por kërkon që ndërtimet në zonat sizmike të bëhen në bazë të rregullave për t’u rezistuar tërmeteve të fuqishëm.
“Duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me tërmetet, duke u përpjekur të mos na shemben shtëpitë. Përsa i përket frikës, me të bashkëjetohet, ndaj dhe duhet të mësohemi”.
Ai njofton se ditët e ardhshme do të vijë në Shqipëri, për të parë nga afër pasojat e tërmetit dhe për të këqyrur ndërtimet, për të studiuar edhe shkaqet e rënies së ndërtesave.
Tv Klan