Në Shqipëri pikat e karburanteve nuk reflektojnë rënien
Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare vazhdon të mbetet në nivelet më të ulta historike, duke u shitur me 25 Dollarë për fuçi.
Sipas të dhënave të tregjeve financiare ndërkombëtare, një fuçi sot u tregtua me 25.4 Dollarë, rreth 5% më shumë se një ditë më parë, por prej dy muajsh çmimi i kësaj lënde nuk ka patur tendencë rritëse më të lartë se 30 Dollarë, duke reflektuar uljen e ndjeshme të kërkesës për këtë lëndë për shkak të masave bllokuese të marra nga pandemia Covid-19.
Çmimi mesatar i një litri naftë në rang global, që tregtohet në tregun e pakicës, ka arritur në 0.91 Dollarë, ndërsa në shumë vende të botës, çmimi i kësaj lënde në pikat e karburanteve është përgjysmuar.
Në Venezuelë një litër kushton 0 Dollarë, çka do të thotë që në kushtet e uljes së çmimit në bursa, qytetarët e marrin falas, ndërsa në shumë shtete të rajonit një litër karburant kushton nga 90 cent në 1.1 Dollarë.
Në Shqipëri çmimi i naftës vijon të mbetet i pandryshuar, prej më shumë se 3 javësh duke u shitur mesatarisht me 158 lekë/litër, edhe pse në fund të prillit, çmimet e kësaj lëndë për kuotat e majit dhe qershorit shkuan në vlera negative, deri në minus 37 Dollarë për fuçi.
Kjo qasje e tregjeve për çmime të ulta të naftës parashikon për ekspertët se lënda do të vazhdojë të mbetet në vlera të ulta deri në fund të qershorit, kur pritet edhe një liberalizim i masave ndaj pandemisë.
Shoqata e hidrokarbureve është shprehur se çmimi i një litri naftë në Shqipëri mund të përballojë një ulje deri në nivelin e 130 Lekëve për litër, por kjo nuk ka ndodhur ende.
Tv Klan