Pjerin Ndreu përplaset me opozitën, Mazniku propozon bashkimin e Vorës dhe Kamzës me Tiranën
Nis me debate mes dy bashkëkryetarëve mbledhja e komisionit për reformën terrioriale.
Denaj: Karriget janë bosh.
Çupi: Nëse do ishte rëndësishme do vinte kryetari i bashkisë.
Denaj: Ju nuk përcaktoni se çfarë them unë.
Në mbledhjen e dytë të sesionit të ri parlamentar, komisioni i “territoriales” zhvilloi dëgjesa me disa prej kryetarëve dhe përfaqësues bashkish. Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, tha se shtimi i bashkive do të kërkonte dhe shtim të kapaciteteve.
“Nëse ne do ta ndajmë reformën territoriale, po kapacitete keni llogaritur? E zëmë se u nda Lezha në tre të tjera, Zadrima lexova unë edhe Shëngjini. Po kapacitetet në punë i dini? A e dini se sot një inxhinier në urbanistik nuk të vjen dhe këtu shtrohet problemi i rrogave. Ka një VKM që është e ’98 që kategorizon, nuk e di se çfarë e pengon qeverinë se nuk e kuptoj, me e hedh poshtë atë VKM. Kategorizon rrogat e bashkisë në nivel skandaloz”, është shprehur Ndreu.
Po ashtu, Ndreu u ndal dhe tek numri i të punësuarve në administratë e Bashki, gjë e cila provokoi debat me opozitën.
“Mos kalo në rolin e policit ordiner tani se ke kaluar dhe në këto poste. Mos më bo mu si papagalli. Rri aty te kanalet, se për kanalet fole deri tani. Më lër të shpalos atë se çfarë duhet të ketë, e kupton, se nuk i kupton shumë gjërat ti”, është shprehur Xhelal Mziu.
Ndërkohë, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbër Mazniku propozoi që Kamza dhe Vora të bashkohen me Tiranën.
“Nuk ka asnjë arsye pse Tirana mos qe bashkuar atëherë me Vorën dhe Kamzën dhe të ishte një njësi administrative. Do të bënte sens nga ana ekonomike, nga ana administrative , do të bënte sens nga ana financiare”, është shprehur Mazniku.
Kryebashkiakët theksuan se shtimi i numrit të bashkive nuk do të rriste ndikimin e pushtetit vendor, ndërsa kërkuan më shumë kompetenca për bashkitë për të menaxhuar qytetet e tyre por dhe zonat rurale.
Klan News