Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është duke debatuar rreth një propozim-rezolute, që do ta shpallte 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Diskutimet, që do të mbyllen me votim, u hapën nga ambasadorja e Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse.
“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë – anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha ajo, si përfaqësuese e vendit që e hartoi tekstin e rezolutës, bashkë me Ruandën.
Në fjalën e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”. “Iu bëj thirrje vendeve anëtare që të votojnë kundër rezolutës”, tha ai. Rezoluta bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
Në Srebrenicë – pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës – forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995. Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2007 se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.
Për gjenocidin e kryer, deri më tani u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç.
Klan News