Këto janë pamjet e para të siguruara nga mediat e huaja ku tregohen dëmet nga sulmi me dron në shtëpinë e Benjamin Netanjahu.
Dritarja e dhomës së gjumit të shtëpisë buzë plazhit, të liderit izraelit është tërësisht e dëmtuar nga shpërthimi.
Në këtë foto zbulohen gjithashtu edhe shenjat në mur. Netanyahu dhe gruaja e tij nuk ishin në shtëpi në kohën e sulmit të së shtunës në qytetin bregdetar të Cezaresë dhe fatmirësisht askush nuk u lëndua.
Mësohet se tre dronë të lëshuar nga Hezbollahu hynë në hapësirën ajrore izraelite të shtunën pasi iu shmangën mbrojtjeve ajrore. Dy prej tyre u rrëzuan, por njëri arriti të godiste shtëpinë e Netanjahut.
Incidenti ka ngritur pikëpyetje se si droni iu shmang mbrojtjes ajrore të Izraelit edhe pse udhëheqja e Hezbollahut është shkatërruar.
Sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit janë të jashtëzakonshme, por ato janë projektuar dhe zhvilluar kryesisht për të rrëzuar raketat dhe jo dronët që mund të lëshohen nga kudo dhe të ndryshojnë drejtimin shpejt.
Klan News