Sierralta rikthehet te amerikano-latinët, gati për miqësoren me Shqipërinë
Epidemia e dëmtimeve ka përfshirë edhe kombëtaren e Kilit. Në prag të miqësores me Shqipërinë, trajneri Ricardo Gareca ka bërë disa ndryshime në listën e të grumbulluarve.
Përpos, Diego Valdez, Erik Pulgar dhe Carlos Palacios, dëmtim ka pësaur edhe Guillermo Maripan. Mbrojtësi ka një dëmtim në gju dhe për të mos rrëzikuar është larguar nga kombëtarja e Kilit.
Mungesë tepër e rëndësishme për përfaqësuesen amerikano-latine, pasi eksperienca e 29-vjeçarit pritej ta ndihmonte Kilin në duelin me Shqipërinë. Për këtë pozicion, Gareca ka rikthyer Francisco Sierralta të Watford. Mbrojtësi bashkohet me kombëtaren për herë të parë që prej nëntorit të vitit 2022. 26-vjeçari ka luajtur në 26 ndeshje këtë sezon, duke dhuruar edhe një asist.
Kombëtarja e Kilit po përgatitet në Parma prej ditësh për këtë miqësore të programuar për tu luajtur në këtë qytet të premten në stadiumin “Ennio Tardini”. Për të gjithë qytetarët brenda territorit shqiptar, Shqipëri-Kili do të transmetohet falas dhe ekskluzivisht në televizionin kombëtar “Klan”.
Klan News