Katër ndeshje skualifikim për José Mourinho-n! Ky është vendimi i Federatës Turke të Futbollit pas polemikave që nisën pas derbit të Stambollit mes Galatasaray dhe Fenerbahçes, për shkak të deklaratave të trajnerit portugez.

Mourinho u penalizua me dy sfida për akuzën e racizmit.

Ai u tha anëtarëve të stolit të verdhekuqve se “po hidheshin si majmunët”.

Nga klubi i Fenerbahçes u sqarua se fjalët e teknikut nuk kishin lidhje me racizmin, por nga institucioni i futbollit u interpretuan ndryshe.

Dy ndeshje të tjera pezullim u morën pas reagimit të Mourinhos ndaj gjyqtarit të katërt turk. Në përfundim të sfidës, tekniku tregoi se shkoi në dhomat e zhveshjes së gjyqtarit slloven Vinçiç, që arbitroi derbin e Stambollit dhe vuri në dukje faktin që puna e tij mori vlerësime nga të gjithë. Ndërsa gjyqtarit të katërt turk i tha se nëse do të ishte ai në fushë, atëherë ndeshja do të rezultonte një dështim.

Klan News