Pesë fitore radhazi dhe pesëmbëdhjetë pikë të grumbullura në pesë ndeshjet e fundit kundër shtatë të marra nga Interi kryesues, katër të Napolit të vendit të dytë, nëntë të Atalantës së vendit të tretë dhe njëmbëdhjetë të Lazios në vendin e pestë, e kanë zhvendosur Juventusin në vendin e katërt në tabelë.
Distanca me liderët e Serie A është vetëm 6 pikë, ndërsa deri në përfundim të sezonit kanë ngelur edhe 11 takime. Por në një sezon kaq të mbushur me ulje-ngritje dhe kontradikta, drejtuesit bardhezinj preferojnë që të jenë me këmbë në tokë.
Eliminimet nga Liga e Kampioneve dhe Kupa e Italisë i mbajnë të ulëta ambiciet e “Zonjës së Vjetër” dhe në dhomat e zhveshjes është e ndaluar të shqiptohet fjala “Scudetto”, raporton Sportmediaset.
Dhe kjo, jo sepse “Zonja e Vjetër është dorëzuar apo për besytni, por sepse drejtuesit duan që ekipi t’i marrë ndeshjet një e nga një.
Juventusi ka treguar siguri në mbrojtje, por në sulm mund të bëjë më mirë, ndërsa trajneri Tiago Mota ka bërë shumë ndyshime në formacion.
Por nëse fitoret do të vazhdojnë, te “Zonja e Vjetër” do të mbajë të njëjtin ritëm, atëherë përse të mos ëndërrojë?
Klan News