Rasti i denoncueses së dhunuar nga ish-vjehrra dhe kushëriri i saj më 24 prill është bërë publik në emisionin “Stop” në Tv Klan. Qytetarja tregoi sesi në 8 vite martesë është dhunuar psikologjikisht nga vjehrra, ka tentuar vetëvrasjen pasi bashkëshorti jetonte jashtë dhe vjehrra e linte të mbyllur e pa e lejuar të shoqëronte fëmijët.

Pas divorcit problemet vazhduan, por më 24 prill kur qytetarja shkoi të merrte fëmijët që i kishte lënë te i shoqi për Bajram, vjehrra dhe kushëriri i saj e dhunuar barbarisht. Ajo tha se e goditën me fshesë në kokë, me grushte në stomak duke i shkaktuar hemorragji e madje, kushëriri i vjehrrës, Artur Lleshi, ka goditur motrën dhe vajzën e denoncueses.

Kjo e fundit ka shkuar në komisariatin e Kamzës për të bërë kallëzim, por agresorët nuk janë lënë në paraburgim e madje është kërcënuar edhe babai i saj.

Ajo kërkon një shpjegim përse nuk janë arrestuar personat që e dhunuan, por sipas policisë së Kamzës arrestimi i tyre bëhet vetëm nga prokuroria.

Qytetarja: Ça është bërë me dosjen?

Oficeri: Ka vajt në prokurori pra.

Qytetarja: Po personat, pse janë të lirë akoma, që e kanë dhunuar?

Oficeri: Ik pyet në prokurori, të merren! Kërko takim me prokurorin e çështjes edhe…!

Oficeri: Ne po  ju themi, materialet kanë kaluar në prokurori.

Polici: Materialet në gjykatë kanë qenë për urdhër mbrojtjeje, janë në ngarkim të shtetasit Artur Lleshi.

Qytetarja: Pse s’e ke marrë ti me e fut çik atë brenda?

Polici: Brenda ka qenë ai.

Qytetarja: Jo! Asnjë sekondë, se ka shkue e më ka kërcënue dhe babën.

Polici: Pse moj, e vendos ti, a të arrestohet personi a e vendos ligji? Si mendon ti?

Qytetarja: Aman, du me ditë. Kam bërë kallëzimin, ça është bërë me këtë kallëzim?

Policja: Ia dhashë numrin e protokollit, datën, që është bërë, të gjitha dokumentat, ça është bërë. Të gjitha dokumentat janë çuar në prokurori. Ky është dokumenti original, që ka shkuar nga institucioni jonë është bërë referimi në prokurori 5 fletë, procesverbali i kallëzimit të shtetases A.R dhe është kjo numri 2379/K data 24/04/2024, që është çuar. Pra kjo është shkresë zyrtare. Me këtë numër, me këtë, e kërkon në prokurori.

Psikologia Gejsi Anamali shprehet e indinjuar me indiferentizimin e institucioneve duke argumentuar se situata të tilla përfundojnë në kronikë të zezë. Ajo thotë se zonjës denoncuese i duhet siguruar një shtëpi, një punë dhe mbështetje psikologjike./tvklan.al