Trajneri i Partizani, Aleksandar Veselinovic, foli për mediat, në prag të derbit të kryeqytetit ndaj Dinamo City.

Tekniku i të kuqve, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, ndërsa tha se duhet respekt, për traditën që Dinamo ka.

Referuar ndryshimit të trajnerit të ri, me Ilir Dajën tashmë në stol, Veselinovic deklaroi se gjithmonë ndryshimet në stol, sjellin ide të reja.

“Sot për herë të parë do ta kem grupin e plotë duke shpresuar që lojtarët të jenë fizikisht mirë. Fillimisht dua të respektoj traditën dhe historinë e klubit të futbollit Dinamo City. Mendoj se ata kanë punuar mirë dhe janë përgatitur në prag të takimit që do të luajnë ndaj nesh. Përsa i përket ndryshimit të trajnerit, në këtë profesion trajnerët lëvizin, por jam i bindur që çdo trajner që punon përpiqet të jap maksimumin e tij dhe ta përgatis skuadrën e tij me ide të reja.

Pas ndeshjes së nesërme do të mendojmë për sfidën e radhës dhe situatat që na presin. Mendoj se kjo situatë do të jetë e njëjtë për të gjitha ekipet që do të duhet të luajnë çdo 3-4 ditë.

Të them të vërtetën Dinamo City ka lojtarë mjaft të mirë. Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe brenda klubit të tyre nuk më intereson dhe mendoj që nuk është korrekte që ta komentoj. Ndryshimi i trajnerëve ka sjellë ndryshime në skuadrën e tyre. Jam i bindur që njerëzit që punojnë në atë klub kanë idetë e tyre dhe janë të sigurt në atë që kërkojnë.”, deklaroi Veselinovic.

Ndeshja mes Partizanit dhe Dinamo City, është planifikuar të luhet të enjten, duke nisur nga ora 19:00. /tvklan.al