Policia nuk gjen 41-vjeçarin. Shpallet në kërkim babai i tij, Fejzullah Çapja
Një operacion për kapjen e të shumëkërkuarit Florenc Çapja pas informacioneve se mund të ishte kthyer nga Dubai nuk u finalizua siç pritej pasi blutë e qytetit të Elbasanit nuk gjetën gjurmë të tij. Në përfundim të kontrolleve në servisin e familjes Çapja në lagjen Emin Matraxhiu, policia shpalli në kërkim babain e të shumëkërkuarit, 64-vjeçarin Fejzullah Çapja.
Ky i fundit i shtohet listës së të kërkuarve nga policia pasi në servisin e tij, policia gjeti një automjet të vjedhur, 2 targa të vjedhura, fishekë luftarakë dhe një kapele si të policisë. Fillimisht policia konstatoi një automjet tip “Alfa Romeo” pa targa që rezulton i vjedhur në 18 Prill të 2019 në Kavajë. Brenda këtij automjeti, blutë gjetën 2 targat gjithashtu të vjedhura në Elbasan në 29 Qershor të vitit 2020, fishekë dhe 1 aparat celular. Ndërsa në ambientet e servisit, shërbimet e Policisë gjetën një kapele me stemën e Policisë, si dhe një këllëf për mbajtjen e armëve të zjarrit.
64-vjeçari Fejzullah Çapja kërkohet nga policia për mbajtje pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, mbajtja pa të drejtë e uniformës dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Policia dyshon se sendet e gjetura në servisin e Çapjave të mund të jenë përdorur nga grupe kriminale, ndaj vijon puna edhe nga SPAK për dokumentimin e veprave penale.
Ky i fundit akuzohet është në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi akuzohet si porositës për vrasjen e atë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në vitin 2012. Lidhur me këtë ngjarje është vënë në pranga xhaxhai i tij Ardian Çapja. Florenc Çapja gjithashtu është në kërkim edhe pas deklarimeve të Nuredin Dumanit, i cili pretendon se i ka ofruar shumën prej 200 mijë Eurosh për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, pasi ai ishte lidhje e Suel Çelës.
Klan News