Hetuesit kanë në dorë prova të cilat mund të çojnë në zbardhjen e atentatit mafioz ndaj Hekurën Billës mbrëmjen e 11 Qershorit në kryeqytet.
Gazetari i Tv Klan Driçim Çaka raporton se grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e sigurisë së disa bizneseve në zonën e Komunës së Parisit përpara një qendre tregtare ku ndodhi atentati. Në këto pamje duket një automjet që ndjek makinën tip “BMW X6” ngjyrë e bardhë të të ndjerit Hekuran Billa.
Po kështu, kamerat kanë fiksuar edhe një automjet tjetër brenda të cilit ndodheshin vrasësit e 40-vjeçarit.
Automjeti i Hekuran Billës u bllokua nga një automjet tjetër dhe për shkak edhe të parkimit të dyfishtë në atë pjesë të rrugës, e kishte të pamundur të lëvizte mjetin. Ndodhur në kushte të tilla, atentatorët hapën zjarr me breshëri me një armë automatike tip MP5 me silenciator, duke e lënë të vdekur në vend 40-vjeçarin Billa.
Viktima ka qenë person i dënuar me burgim të përjetshëm në Londër për vrasjen e një shqiptari dhe plagosjen e 3 të tjerëve. Por në Shqipëri ai ishte i lirë pasi gjykata shqiptare i kishte konvertuar dënimin me 25 vite sipas legjislacionit tonë dhe i kishte ulur 5 vite të tjera burg.
Për këtë arsye, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur edhe verifikimet për të parë si janë zbatuar procedurat gjyqësore. Ngjarja në Angli është pista kryesore e hetimit të policisë, por nuk përjashtohet as prishja e pazareve të drogës. /tvklan.al