Vrasja e 67-vjeçarit Dod Mamli në Zhejë të Kurbinit dyshohet se ka si motiv gjakmarrjen, por nuk përjashtohen as pistat e tjera si ajo e pronësisë.
Korrepondenti i Klan News, Martin Marku raporton se 2 djemtë e viktimës, akuzohen në lidhje me vrasjen e Naim Tafës dhe plagosjen e Idriz Tafës dhe Altin Çokut më 23 Shtator 2015 në Mamurras.
Ndërkohë, Policia thotë se Mamli është vrarë nga persona ende të paidentifikuar.
67-vjeçari u gjet pa shenja jete në një sipërfaqe toke në pronësi të tij rreth orës 16:00 nga banorët, të cilët njoftuan menjëherë Policinë.
SI NDODHI VRASJA E NAIM TAFËS NË 2015:
Ngjarja ndodhi më 23 Shtator 2015 dhe një ditë më pas Policia tha se Tom, Paulin dhe Elton Mamli rrahën dhe goditën me sende të forta, kushëririn e tyre Dorian Mamli.
Ky i fundit kishte ndërhyrë për të negociuar konfliktin që kishte Elton Mamli me Edmond Tafën, djalin e xhaxhait të viktimës, Naim Tafa.
Pas këtij sherri, pranë stacionit të trenit në Mamurras, makina e vëllezërve Elton dhe Tom Mamli është goditur nga pas nga makina ku lëviznin kushërinjtë Tafa.
Kaq ka mjaftuar dhe dy pjesëtarët e fiseve kanë filluar të qëllojnë me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit. Si pasojë ka mbetur i vdekur Naim Tafa 35 vjeç. Nga ky konflikt mbetën të plagosur edhe Idriz Tafa dhe Altin Çoku.
Viktima kishte vetëm pak javë që ishte kthyer nga Italia pasi kishte vuajtur dënimin për vjedhje. Ai zbriti në Rinas më 8 Shtator, si i deportuar me ndalimin e të drejtës për të qarkulluar në hapësirën “Shengen” për 10 vjet.
Në automjetin e Eltonit, Policia gjeti 11 gëzhoja dhe armën me të cilën ai qëlloi. 26-vjeçari braktisi makinën 300 metra larg vendit të ngjarjes dhe pak orë pas krimit u arrestua nga Policia.
Nga hetimet, konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli ka filluar kohë më parë në Suedi, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri.
/tvklan.al