Gentjan Bejtja, 42 vjeç, u ekzekutua pasditen e së premtes në banesën e tij në Larushkë të Fushë Krujës (Lexo më shumë). Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se ndaj Bejtjes është qëlluar me breshëri plumbash.

Pas këqyrjes në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar 35 gëzhoja. Për momentin janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në banesën e tij, por nga këqyrja paraprake nuk rezulton që të jetë filmuar momenti i ekzekutimit.

Zona në terr kur ndodhi atentati mafioz

Sipas dëshmive të mbledhura në zonë, raporton gazetarja Glidona Daci, 42 vjeçari ka qenë duke punuar tek shtëpia e prindërve e cila është ngjitur me shtëpinë e tij.

Në momentin që Gentiani ka shkuar në shtëpinë e tij dhe është afruar te rruga kryesore, ka ardhur “Land Roveri” dhe dy persona kanë dalë nga makina, ndërsa dy të tjerët kanë qenë po ashtu te armatosur dhe të maskuar, por kanë qëndruar brenda automjetit.

Dy autorët e dyshuar kanë hapur zjarr në drejtim të tij. Bejtja ka tentuar që t’u shmanget plumbave dhe është afruar në drejtim të hyrjes së serës aty ku humbi jetën. Prindërit kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë vrapuar për tek shtëpia e tij.

Vlen të theksohet se pak para orës 16:25 kur ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur drita në zonë. Hetuesit bëjnë me dije që kamerat tregojnë momente para dhe pas ngjarjes, por nuk është filmuar momenti i ngjarjes, sepse duheshin disa minuta për t’i rindezur. Ende nuk është e qartë se nga kanë ardhur autorët, por dyshohet se janë larguar në drejtim të Thumanës.

Vrasja e Gentjan Bejtjas, foto nga vendi i ngjarjes
Vrasja e Gentjan Bejtjas, foto nga vendi i ngjarjes

Informator?

Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, dyshohet se dikush shumë pranë Bejtjas mund ta ketë tradhëtuar duke treguar që ai ndodhej në shtëpi.

Dëshmitë e familjarëve nuk ndihmojnë hetimet

Pas ngjarjes, të parët që janë marrë në pyetje kanë qenë familjarët e Bejtjes.

Ata nuk kanë pranuar që të kenë konflikte dhe deklarimet e tyre nuk i kanë ndihmuar shumë hetuesit që të kenë një pistë konkrete për vrasjen e tij.

Shtëpia e Gentjan Bejtjas
Shtëpia e Gentjan Bejtjas

Pistat kryesore

Pistat kryesore të vrasjes lidhen me të shkuarën e Gentjan Bejtjas pasi ai është dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale ku në disa mendohet se ka qenë ekzekutor, ndërsa në të tjera me role dytësore si vëzhgues.

Kjo mund të ketë krijuar konflikte të mëdha mes tij dhe personazheve të tjerë të botës së krimit në zonën e Niklës, por edhe në zona të tjera.

Si ndodhi ngjarja

Tvklan.al mësoi se 42-vjeçari ndodhej brenda në serë bashkë me bashkëshorten dhe njërin prej djemve kur u vra. Dyshimet e para janë që ai i ka parë autorët (Lexo më shumë).

Bejtja ka tentuar të largohet pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur shenja gjaku deri në pjesën e pasme.

Dyshimet janë që në ngjarje të kenë marrë pjesë 3 persona. Pas krimit, në fshatin Hasan u gjet një makinë në flakë, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Brenda mjetit u zbuluan 4 kallashnikovë.

Bejtja u shpëtoi 3 atentateve, i katërti i mori jetën

42-vjeçari i kishte shpëtuar deri më tani 3 atentateve të ndryshme. Më datë 4 Korrik të vitit 2023 atij iu bë një atentat, jashtë ambienteve të banesës. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan L. Sino 29 vjeç, dhe u plagosën dy djemtë e Gentjan Bejtjas, A.Bejtja 13 vjeç dhe djali tjetër 10 vjeç (Lexo më shumë).

Më 9 Janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.

Gentjan Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në Shtator të vitit 2016 kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë (Lexo më shumë).

Për atentatin e ndodhur më datë 4 Korrik të vitit 2023 policia dyshoi tek Valter Bami, ish-miku i viktimës për të cilin me gjithë kërkimet u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Ky i fundit, i cili u shoqërua edhe pas vrasjes së të premtes, qëndroi në burg për 6 muaj dhe u la i lirë me arrest shtëpie më datë 18 Janar 2024 (Lexo më shumë)./tvklan.al