Nga studioja e “Shije Shtëpie” në Tv Klan mjekja neurologe Aida Quka tha se migrena fillon që në moshën 5-vjeçare, në rast se genetika luan një nga faktorët kryesorë. Sipas saj në shumicën e rasteve migrena shfaqet në adoleshencë dhe është më e shprehur tek femrat.

Aida Quka: Migrena fillon që në moshën 5 vjeç. Migrena tek fëmijët ka karakteristika pak më të ndryshme se sa tek të rriturit. Nëse tek rriturit karakteristika mbizotëruese është dhimbja e kokës, tek fëmijët kemi rastet e migrenës abdominale. Janë shumë të shpeshta krizat abdominale, pra kemi pacientë të vegjël që i dhemb barku, prindërit mendojnë se mund ta kenë psikologjike ndërkohë që është migrenë abdominale dhe pa dhimbje koke, mund të ketë dhimbje barku dhe koke, por jo gjithmonë është kjo e fundit.

Katerina Trungu: Mund të kuptohet nga mjeku nëse kjo gjë është e shpeshtë?

Aida Quka: Nga neuropediatri po, pasi përjashtohen të gjithë shkaqet e tjera.

Katerina Trungu: Dhe ndryshon kjo simptomë, pra në adoleshencë kalon në shqetësimin e një të rrituri?

Aida Quka: Në veprimin e ndryshimeve hormonale, vetë migrena shfaqet në shumicën e kohës në adoleshencë kur shfaqet faza e pubertetit që kemi ndryshimet hormonale, tek femrat është më e shprehur me ardhjen e ciklit menstrual, por edhe tek djemtë kur kanë një faktor të rëndësishëm genetik./tvklan.al