Në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan të ftuarit folën për migrenën. Duke shpjeguar hollësisht se çfarë është migrena, mjekja neurologe Aida Quka tregon dhe faktorët që e shkaktojnë atë. Në krye të listës ajo vendos si më ndikuesin faktorin genetik, i cili pasohet nga kushtet ambientale e deri tek profesioni. Mjekja Aida Quka tregoi për publikun dhe simptomat me të cilat shoqërohet migrena.

Aida Quka: Ka një faktor kryesor genetik në shfaqjen e migrenës, por janë dhe faktorët ambientalë, ndryshimet klimaterike, ndotësit e ambientit të jashtëm, ushqimet që ne hamë, stresi dhe ankthi të gjitha këto ndikojnë në gjendjet migrenoze. Në disa profesione është dhe sëmundje profesionale sepse mund të nxitet nga reagjentët apo ndotësit që janë në atë profesion për shembull tek dentistët.

Katerina Trungu: Çfarë është migrena konkretisht? Është një dhimbje koke që vjen për këto shkaqe, është një lloj çrregullimi?

Aida Quka: Migrena është një çrregullim që karakterizohet kryesisht nga dhimbje koke, por të gjitha posterat thonë që migrena nuk është thjesht një dhimbje koke. Vetë kriza migrenoze ka disa etapa, e para është faza prodromale, pra kemi dy ose tre ditë një gjendje të alternuar të organizmit që mund të jetë në alterime në shije, në oreks, në sjellje që mund të shoqërohet me nervozizëm. Pastaj kemi aurën, aura është një seri shenjash të cilat shfaqen gjysmë ore para se të fillojë kriza migrenoze dhe në mekanizma fispatologjikë, mekanizmi i aurës është i njëjtë si migrena, pra kemi një çrregullim të shkarkesave neuronale në tru të cilat shkaktohen në mënyrë të pakontrolluar dhe kemi ndryshime të enëve të gjakut. Dhe pastaj fillon kriza migrenoze e cila është një dhimbje shumë e fortë koke e tipit rrahës që mund të jetë unilaterale, kryesisht fillon periorbitale në njërën anë, në njërin sy, pastaj mund të shfaqet dhe bilaterale. Dhimbja është e tipit rrahës dhe shoqërohet me të vjella ose me mbindjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmës, jo gjithmonë, por shpesh ka mbindjeshmëri ndaj dritës. Kjo krizë zgjat 4 deri në 72 orë dhe pas kësaj krize që është shumë e fortë dhe pacienti kërkon që të qëndrojë i shtrirë në një dhomë shumë të errët. Karakteristikë e migrenës është që rëndohet nga aktiviteti fizik. Pas 72 orësh që mund të jetë maksimumi i krizës vjen faza posdromale që pacienti është përsëri i këputur pa humor dhe ka një çrregullim përsëri në oreks. Pra po të bëjmë një shumatore, shkon një javë me një krizë migrenoze./tvklan.al