Më 15 Qershor 2021 emisioni “Stop” trajtoi përplasjen fizike e verbale në shkollën 9-vjeçare “Qemal Mici” në Durrës, ku nëna e një djali me çrregullime të spektrit autik, Fjoralba Rosi u dhunua nga nëna e një fëmije tjetër, njëkohësisht mësuese në këtë shkollë, Valentina Jançe Kala.

Në atë kohë agresorja u procedua penalisht. Tre vjet më pas “Stop” takon Fjoralba Rosin sërish. Mësohet se Gjykata e Durrësit e ka shpallur të pafajshme mësuesen, pasi nuk ishte provuar dhuna. Por organi i akuzës dhe gjykata nuk kanë administruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë, që drejtori i shkollës tha se i kanë institucionet kompetente.

Sot Fjoralba e kërkon drejtësinë në Gjykatën e Apelit. Nga ana tjetër arsimtarja nuk është mjaftuar me kaq. Ajo ka kallëzuar nënën e fëmijës për fyerje dhe shpifje dhe kërkon 4 milionë lekë dëmshpërblim. Fjoralba është quajtur edhe hajdute, pasi mësuesja pretendon se i kanë vjedhur 700 mijë lekë në shkollë. Drejtori i shkollës, në një regjistrim thotë se nga videoja që disponohet ai që ka marrë lekët, është burrë.

Pas transmetimit të fundit Eduart Prenga, drejtori i shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici” në Durrës kërkoi të shpjegonte se dhunë ka pasur, por pamjet nuk janë tërhequr nga policia. Për pasojë, sistemi i ka fshirë pasi ka kaluar shumë kohë.

Eduart Prenga: Asnjë lloj deklarimi, askush nuk ka ardhur për këtë çështje.

Gazetarja: Ju për një muaj nuk iu tërhoqën pamjet filmike?

Eduart Prenga: Askush!

Gazetarja: A ka pasur dhunë atë ditë, apo nuk ka pasur dhunë?

Eduart Prenga: Ka pasur, sepse edhe kapja për duarsh e dy zonjave nuk është pamje e bukur. Prandaj dhe për mësuesen është marrë masë disiplinore, nga Komisioni i Disiplinës për shkelje të etikës sepse kanë qenë dhe në oborrin e shkollës.

Gazetarja: Në Qershor kam qenë unë ajo që iu kam kërkuar që të shikonim pamjet filmike dhe keni refuzuar me pretendimin se ua dorëzoni vetëm institucioneve kompetente. Je koshient që sot po të kishin qenë pamjet filmike nga ana e emisionit “Stop” dhe të ishin bërë publike nuk do të ishim në këtë situatë.

Eduart Prenga: Për këtë nuk jam koshient. Unë mendoj që ato pamje do të ishte shumë më mirë që të kishin qenë më mirë në gjykatë e prokurori se sa në media./tvklan.al