24-vjeçarja Rayyan Alwan që u gjet e vrarë brenda një apartamenti në Tiranë dhe autori i dyshuar i ngjarjes Fadi Alwan 49 vjeç janë babë e bijë.
Kjo është përgjigjia që ka marrë Policia e Tiranës nga Interpoli që konfirmojnë lidhjen familjare mes të ndjerës dhe autorit të dyshuar që është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gazetari i Klan News Besar Bajraktari ka mësuar se përveç këtij informacioni nga Interpol, nuk janë dërguar të dhëna të tjera për të mësuar më shumë për motivin që çoi në vrasjen e 24-vjeçares palestineze.
Interpol është duke ndjekur gjurmët e 49-vjeçarit Fadi Alwan, i cili dyshohet se fshihet në Liban.
Ekspertiza për vdekjen e vajzës nga Palestina ende nuk ka përfunduar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. E reja kishte plagë të shkaktuara nga goditjet me mjet prerës.
Burime nga policia bëjnë me dije se nga kqyrja e kamerave ka rezultuar se gjithë komunikimet në aeroport apo tek banesa e marrë me qira i kryente vetëm i ati, pasi 24-vjeçarja nuk fliste fare.
Policia kishte dyshime se dy palestinezët kishin përdorur dokumente false por deri më tani nuk ka rezultuar një gjë e tillë.
Palestinezët mbërritën në vendin tonë më 19 Shkurt përmes aeroportit të Rinasit nga Gjermania. Ata paraqitën dokumente greke në doganën shqiptare.
Ndërsa më 22 Shkurt, 49-vjeçari rezulton të jetë larguar nga Shqipëria drejt Greqisë e më pas në shtete të tjera.
/tvklan.al