Vrasësi me pagesë dhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka treguar detaje të tjera nga krimet e tij ndër vite për llogari të grupeve kriminale.

Në seancën e sotme gjyqësore në GJKKO, Nuredin Dumani ka treguar planin e vrasjes së Fatmira Dedja në vitin 2013 në ambientet e një garazhi në një pallat në qendër të Durrësit.

60-vjeçarja në atë kohë u godit me sende të forta në mënyrë që vrasja të dukej si një grabitje.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci ka zbardhur një pjesë të diskutimeve në sallën e gjyqit, ku Nuredin Dumani ka treguar si u hartua plani për vrasjen e Fatmira Dedjes dhe se si fillimisht diskutohej që ekzekutimi të bëhej në varreza, ku e ndjera shkonte dhe qante të birin që ia kishin vrarë.

Fatmira Dedja ishte nëna e Elvis Dedajt, edhe ky i fundit i ekzekutuar në Qershor 2012. Në ato vite, Fatmira Dedja akuzonte publikisht dhe në prokurori se djalin ia kishte vrarë Festim Qoli. Në bazë të dosjes “Plumbi i Artë” i SPAK si dhe bazuar në dëshminë e Nuredin Dumanit, Qoli pagoi 40 mijë Euro për ta vrarë Fatmira Dedjan për shkak se ajo “fliste”.

Fatmira Dedja u godit me grushte dhe thikë nga Talo Çela dhe Nuredin Dumani.

Avokati: A mund të na thoni detaje të planifikimit të vrasjes së Fatmira Dedës?

Nuredin Dumani: Pasi vendosëm me Talo Çelën për vrasjen e Fatmira Dedës dhe diskutuam si të mos duket shumë e rëndë. Ajo shkonte shpesh në varreza. Ne e njihnim Fatmirën. Vinte aty ajo, ngaqë ju vra djali i saj. Vinte aty dhe i shante këta Qolët ajo.

Avokati: Kur e keni aktivizuar Dorian Shkozën?

Nuredin Dumani: Ai u aktivizua pasi unë fola me Festim Qolin dhe Talo Çelën. Pasi folëm me Festimin tek palestra në Nishtulla fola me Talo Çelën të nesërmen, ose pas dy ditësh. Fola dhe me Qimen. Këtë të fundit e kam njohur nga Talo Çela në Elbasan. Ka pasur një makinë që ja dha Dorian Shkoza. Mjeti “Alfa Romeo” u aksidentua kur ai vëzhgonte lëvizjet e Fatmira Dedës. Më kujtohet pamja fizike e tij, por emrin nuk ia kujtoj.

Avokati: Pra ishit me Dori Shkozën dhe Qimen?

Nuredin Dumani: Me Dorianin kisha folur vetëm unë. Kur ne nisëm lëvizjet Doriani më gjeti një makinë. Na duhej për ndjekjen e Fatmira Dedës dhe vrasjen e saj. Fatmira shkonte në orën 7 tek varrezat. Ne i mësuam të gjitha lëvizjet e saj. Ishte planifikuar që vrasja do bëhej tek varrezat. Doriani u shkëput pas ca ditësh, pasi u frikësua pak.

Avokati: Si vazhdoi plani?

Nuredin Dumani: E morëm vesh itenerarin e gjithë ditës së viktimës. E vëzhgonim me segmente kohore. Dinim kohën kur shkonte tek karburanti, kur shkonte tek varrezat dhe kur shkonte tek një spital tek Currilat. Shumë herë e kam ndjekur edhe unë vetë. Vëshgimi niste jashtë lagjes. Edhe Talo e ka vëzhguar.  Por ndërsa ne vëzhgonim erdhi Festimi nga jashtë shtetit. Na tha “pse s’e keni bërë”. Unë tek varrezat nuk e mora përsipër ta bëja, se duhet të ecnim shumë në këmbë. Aty pastaj vendosëm ta bëjmë vrasjen tek garazhi. Aty hyri në lojë Agroni.

Avokati: Kur e ndryshuat planin, cili e vendosi?

Nuredin Dumani: Unë me Festimin.

Avokati: Kishe folur ndonjëherë me Petrit Qolin për këtë?

Nuredin Dumani: Jo, deri para ndryshimit të planit nuk kam folur as me Gonin as me Petritin.

Avokati: Si ndodhi pastaj?

Nuredin Dumani: Ne vendosëm ta bëjmë tek garazhi, por të dukej si grabitje. Festimi më tha që do të ndihmojë edhe Agroni. Do të ishte informator. Pasi ne hoqëm dorë nga vrasja tek varrezat, Festimi tha që më mirë të vritej tek garazhi dhe të dukej si grabitje. Unë i thashë që është vështirë, pasi do jemi në qytet. Festimi i bëri vetë punët e veta me vëllain e vet dhe kushëririn e vet. Pasi u konsultuam, morëm dhe miratimin e njerëzve të tij. Madje na tha qe do kishim garanci mos na kapte policia. Këtë nuk e besova, se unë isha me makinë pa dokumente dhe me arme me vete. Unë i mora masat që të mos na ndalonte policia dhe ashtu ndodhi. Disa ditë më mbrapa, Festimi më tha që do marrësh një telefon ti dhe Agroni. Nuk do flisni me to, por vetëm një sms “erdha, s’erdha”. Talo nuk e kundërshtoi planin.

Avokati: Pse ndryshoi plani i vrasjes?

Nuredin Dumani: Ishte më e thjeshtë për ne se tek pallati ku jetonte viktima jetonte edhe Agroni, planin e kam bërë unë dhe Festimi. Idenë për Agronin e dha Festim Qoli, roli i Agroni Qolit ishte informator. Fatmira Dedja i akuzonte dy vëllezërit për vrasjen e djalit, tek karburanti sa ishte Fatmira Dedja gjallë aty nuk afrohej njeri pas vrasjes së saj, karburanti u nda nga dy vëllezërit Petrit dhe Festim Qoli.

Avokati: Në cilën orë të ka ardhur thirrja nga Agron Qoli.

Nuredin Dumani: Unë kisha shkuar pak më përpara se të vinte mesazhi dhe isha pozicionuar në afërsi të pallatit. Mesazhi dhe kodi ishte “erdha”.

Agron Qoli: Për çfarë i duhesha unë kur ky po e runte vetë?

Nuredin Dumani: Ku e dinte ky se ku isha unë? Unë isha me Talo Çelën aty, në vendin e ngjarjes. Ndeza makinën, u drejtova për tek garazhi, u futa vetëm me makinë, Talo ka hyrë në këmbë.  Garazhi i Fatmira Dedjas ishte në hyrje djathtas i pari ose i parafundit. Kur kam hyrë me makinë pashë Talon që po e godiste atë të ndjerën, ajo tentoi të hynte brënda garazhit të saj, por qepeni ngeli i hapur se zonjës i ra qepeni në sup. Talo e tërhoqi dhe e godiste. E ndjera ka ngel me fytyrë nga shkallët dhe këmbët nga hyrja e garazhdit. E gjitha ka zgjatur shumë pak.

Agron Qoli: A jeni i sigurt që po tregoni të vërtetën e vrasjes së asaj nëne se dikur keni thënë që jeni ju?

Nuredin Dumani: Kam thënë të vërtetën.

Agron Qoli: A je ul me mua për kafe?

Nuredin Dumani: Jo.

Agron Qoli: A më ke parë mua me tek karburanti?

Nuredin Dumani: Kemi shkuar kur kemi marrë telefonat, por jemi takuar dhe herë të tjera.

Argon Qoli: Keni bërë 3 deklarime të ndryshme deri më tani për punën e telefonave.

Nuredin Dumani: Të vërtetën kam thënë.

Agron Qoli: Cila ka qenë arsyeja që unë kam dashur të të largoj ty nga lagjia?

Nuredin Dumani: S’ke bashkëpunuar me mua, me kushurinjtë e tu. Mos hyni në çështje familjare se do ju bëj me qa.

Pertit Qoli: Mos më fol mua ashtu o legen.

Agron Qoli: Kush e mori babin e këtij nga shtëpia dhe e dërgoi tek lokali i Petrit Qolit për të kërkuar fjalë?

Nuredin Dumani: Ke ardhur disa herë, ke thënë shpërnguluni prej këtu, sepse ishte nxe festa shumë. Ne nuk ishim fajtorë dhe ti e di shumë mirë. Është turpi më i madh t’i kërkoj falje unë Festim Qolit.

Agron Qoli: Baba jot erdhi ke kokën me gungë?

Nuredin Dumani: Domethënë e keni marrë peng, ju më keni dhunuar babën mua, është vepër penale, besoj e dini?

Agron Qoli: Unë kam qenë personi që e kam dërguar babin e tij të kërkonte falje. Cili është motivi që më ke përfshirë mua në këtë histori?

Nuredin Dumani: Ke paguar edhe lekët e varrimit, ti e di shumë mirë.

Agron Qoli: Cili ka qenë motivi që ke vënë tritol tek çuni i xhajës tat?

Nuredin Dumani: Tritoli është vendosur dy ditë para se t’ja vendosim shtëpisë së Talo Çelës. E bëra për të trembur këto lepurushat për t’ju tregu se sot e vendosët për dy ditë u hakmorra.

Agron Qoli: Me nipat e mi, ke pas konflikte, për cilat arsye?

Nuredin Dumani: Nuk kam pas konflikte me të. Njërin e njoh.

Agron Qoli: Deri më tani të kanë dalë 3 konflikte me mua.

Nuredin Dumani: Jo, unë s’kam pasur asgjë me ty, ke qenë thjesht dërgues mesazhesh.

Agron Qoli: A ke dijeni ku punoja une në atë kohë kur mendohet se ju kam ndihmuar?

Nuredin Dumani: Jo nuk kisha informacione.

Agron Qoli: Po për marrëdhëniet që ke pas me të ndjerën ke pas dijeni?

Nuredin Dumani: Ti ke shku në varrim, të mira do t’i kesh pas, ti i ke pagujt varrimin me lekët e Festim Qolit.

Agron Qoli: Mes meje dhe Nuredin Dumanit ka një dallim të madh, ndërkohë që ky i lutej Zotit që të vriste ndonjë dhe të merrte ndonjë lekë, unë i lutesha Zotit që të gjeja punë, të fitoja para për veten, familjen dhe lutesha të mos më lëndohej ndonjë punonjës në punë. Ditën e ngjarjes nuk kam pas lidhje fare me këto që thotë ky. Unë kam qenë në Fushë-Krujë, kam qenë ul për të ngrënë bukë. Më ka marrë komshiu im dhe më thotë që është shtrirë mama e Loshit në tokë ose e kanë vra ose ka vra veten, nuk e di. I kam thënë lajmëro policinë. Kur jam futur në darkë në garazh, ishte gjithë gjakë, edhe qepeni nuk ka qenë ashtu siç e thotë ai.

Vrasjen e Fatmira Dedjas e ka trajtuar gjerësisht edhe emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus në vitin 2022, duke zbuluar garazhdin ku ndodhi krimi në vitin 2013. (Ndiq videon më poshtë)