Fati i një prej fraksioneve të “dosjes 5D” do të vendoset në 14 Shkurt në orën 12:00. Gjyqtarja Elsa Ulliri ka dëgjuar për 3 orë argumentet e SPAK që kërkon kalimin për gjykim të çështjes dhe argumentet e mbrojtjes.
Avokatët e Redi Mollës, Mariglen Qatos kanë kërkuar rikualifikim akuzash pasi, sipas tyre ato nuk qëndrojnë dhe gjykim të shkurtuar. 7 të pandehurit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim para gjykatës.
SPAK pretendon se kompania “5D Konstruksion” posedohet nga dy ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës Redi Molla dhe Mariglen Qato. SPAK pretendon se nga hetime ka rezultuar se në periudhën 2016-2020 gjatë kohës kur Molla ishte drejtor i përgjithshëm i UKT Tiranë, është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 procedura prokurimi, të zhvilluara nga institucioni që ai drejton.
Prokuroria e Posaçme pretendon se është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës kur Mariglen Qato ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në katër nga procedurat e prokurimit.
Ndërsa, Taulant Tusha në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i kanë krijuar shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese, në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik.
SPAK thekson në njoftimin zyrtar se nga analiza e hetimit financiar është provuar fakti se në 12 procedurat e prokurimit që janë përfituar nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit publik, kjo shoqëri tregtare ka përfituar vlerën monetare në shumën e rreth 193 milion Lekë.
Po ashtu SPAK është duke vlerësuar edhe 11 procedura të tjera të prokurimeve publike.
Klan News