Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të hënë grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Para deputetëve të tij, ai tha se është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Reformës në Drejtësi se kush qeveris në Shqipëri.
“Ne jemi garancia. Të tjerët janë përbetuar të kthejnë mbrapsht Reformën në Drejtësi dhe të shkrijnë institucionet e tjera të drejtësisë dhe të neutralizojnë SPAK-un”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, ndryshe ndodh me opozitën. Sipas tij, problemet e tyre me drejtësinë janë më të mëdha sesa lidhjet me interesin kombëtar e publik. Këtu ironizoi edhe ardhjen e Chris LaCivita për fushatën e PD.
“Këto forca janë të shpallura dhe i njeh Shqipëria e Bota. Nuk ka trup mediatik dhe propagandistik, nuk ka turist që vjen me kushedi ça page nga Amerika për të bërë një makiazh Trampist të fushatës së atyre forcave që ndryshon këtë thelb”, tha Rama.
Prandaj gjatë fjalës së tij bëri thirrje se Partia Socialiste është garancia që asgjë nuk do të lëvizë, qoftë sa i përket Reformës në Drejtësi, por edhe shfrytëzimit të rrethanave të kohës për të hyrë në BE. Por për këtë, kërkon nga qytetarët mandatin më të fortë që prej vitit 2013.
“Ky është thelbi i ndarjes si dita me natën apo nata me ditën mes nesh dhe kënetës, por dhe ky është thelbi që ndan nëse Shqipëria dhe shqiptarët do ta shfrytëzojnë këtë dritare të hapur, do të bëhen anëtarë të BE, duke i mbyllur negociatat në 2027 dhe duke hyrë në BE brenda kësaj dekade, apo nëse do mbeten si ndonjë shtet tjetër këtu në rajon që e ka të ardhmen të paqartë. Ne nuk jemi Bosnje Hercegovina, ne jemi Republika e Shqipërisë dhe ne i kemi të gjitha ato që na duhet për ta shfrytëzuar këtë dritare. Por duhet që shqiptarët të na japin mandatin më të fortë që kemi pasur ndonjëherë që prej vitit 2013. Më të fortin sepse me mandatin më të fortë të shqiptarëve pastaj e di unë bashkë me ju se çfarë bëjmë edhe me Europën, edhe me Amerikën, edhe me NATO-n e me gjithçka. Me dinjitet dhe me garancinë që gjithçka nuk lëviz. Në momentin kur hyjmë në BE nuk ka më shanse pastaj që cilido qoftë në pushtet të thotë do shkrij këtë apo atë se nuk shkrin dot asgjë”, tha Rama./tvklan.al