Për Kryeministrin Edi Rama, “nuk ka asnjë parti të re me energjinë e forcës qeverisëse”. Nga mbledhja me grupin ai u shpreh se Partia Socialiste me eksperiencën e saj është e vetmja që ofron garanci. Thënë kjo, ai u ndal më në detaje sa i takon listës së kandidatëve për deputet që do bëhet publike më 12 Mars. U shpreh se cilido nga socialistët që nuk do të jetë në listë të hapur, duhet të njoftojë paraprakisht.


“Cilido dhe cilado prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur duhet ta bëjë me dije, parimi themelor duhet të jetë: Asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë dhe një mandat të PS-së nuk do të jetë në listën e mbyllur! Është e drejta e kujtdo që për arsye të ndryshme nuk do të jetë në listë të hapur, por duhet të na e thotë përpara. Parimisht, luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe PS-ja, të parët.

Patjetër që në listën e hapur do ketë plot të rinj dhe të reja! E dyta, diskutimi ka qenë, drejtuesit politikë duhet të jenë në listë të hapur. Problemin është se kjo do çorodiste gjithë procesin sepse nuk do lejonte asnjë barazi shansesh në garë dhe nga ana tjetër, nuk do të garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të garës. Pasi, drejtuesit politikë do të ishin të fokusuar për të marrë vota për veten, me një status më të veçantë dhe do të krijonin pabarazi vetvetiu, dhe do çorientohej skuadra. Ndërkohë që skuadrat në qarqe duhet të jenë kompakte“, u shpreh Rama.

Po a do kandidojë ai si deputet për Tiranën? Tha se këtë vendim nuk e ka marrë ende plotësisht, duke theksuar se me shumë gjasa “nuk do të jetë fare në listë”.

“Me thënë të drejtën as nuk e kam pasur as nuk e kam shumë idenë se pse unë duhet të jem në parlament si deputet për sa kohë kam këtë detyrë. Nga ana tjetër do ishte hyrje në hak të të tjerëve që të vendosej emri im dhe të çorientohen njerëzit. Duke mos qenë deputet i të gjithëve, për detyrën që kam dhe për të mos i zënë vendin askujt!”, deklaroi kryesocialisti nga Kryesia e Kuvendit.


/tvklan.al