Frika e një dëmtimi të rëndë ka kaluar për Rey Manaj. Pas ekzaminimeve mjekësore, sulmuesi shqiptar ka treguar shenja pozitive.

Sipas asaj që raportohet nga klubi turk i Sivvaspor, 28-vjeçari nuk ka asgjë serioze në kokë dhe mushkëri, teksa analizat e gjakut kanë dhënë rezultate normale.

Pas një nate të kaluar në spital, Manaj do të rikuperohet në shtëpi, për të qënë më pas i gatshëm për skuadrën. Goditja e fortë e pësuar në minutën e 3-të të sfidës së Superligës turke kundër Goztepe u duk më e rëndë në pamje të parë.

Kjo ndikuar edhe nga fakti që sulmuesi humbi vetëdijen, ndërsa duhej ndërhyrja e ambulancës për ta dërguar menjëherë në spital.

Një lajm fantastik si për Manaj në aspektin personal ashtu edhe për ekipin turk dhe kombëtaren shqiptare. Në reagimin e tij në rrjetet sociale, futbollisti kuqezi ka pranuar se në fundjavë do të jetë në fushën e lojës, për të rikthyer qetësinë për trajnerin Sylvinho.

28-vjeçari besohet të jetë në mesin e lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Anglisë dhe Andorrës.

Në këtë sezon, Manaj ka zhvilluar 19 ndeshje me klubin turk, ku ka shënuar 7 gola dhe dhënë 2 asistime.

Klan News