Drejtori i CIA-s, Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, William Burns është pritur në një takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Radio Evropa e Lirë raporton se Burns hyri rreth orës 09:00 të mëngjesit në ndërtesën e qeverisë së Kosovës e doli një orë më vonë nga aty.
Kujtojmë se një ditë më parë, Burns u takua në Prishtinë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti. Në asnjë prej dy takimeve të së enjtes nuk është deklaruar askush nga palët se çfarë është diskutuar mes të dyve. Megjithatë ditën e sotme ka pasur një reagim nga kryetarja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns“, shkroi Presidentja Osmani në rrjetet sociale.
Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë vjen pas atyre që zhvilloi në Bosnje dhe Serbi.
“Në Sarajevë më 20 Gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviç, Zhelko Komshiç dhe Zhelka Cvijanoviçit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja”, raporton REL.
Qeveria amerikane tha po për REL se gjatë takimeve në Sarajevë u diskutua për “çështje me interes të përbashkët të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje Hercegovinës”. Sipas të njëjtave burime, Burns diskutoi edhe për retorikën dhe veprimet e Milorad Dodik, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjes, Republika Srpska.
Ndërsa sa i përket vizitës në Beograd nuk dihet se me kë është takuar Burns.
Vizita e drejtorit të CIA-s në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.
“SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara””, raportoi REL.
Vizita në Kosovë e Burns nuk u konfirmua, megjithatë në mesditën e 22 Gushtit në aeroportin e Prishtinës u pa një avion i ushtrisë amerikane të ndalur në zonën VIP të aeroportit.
Me këtë avion, besohet se Burns ka udhëtuar edhe në vende të tjera të rajonit.
Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021./tvklan.al