#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Të ftuar: Armand Peza, Anisa Zaçe

#gjenerataalfa #tvklan #edielashqiptare #arditgjebrea #riniashqiptare #prind #miqesi # dashuri #psikolog #emocion

“Arditi s’është shok i mirë”, Armand Peza shpërdoron ‘fishekun’ ndaj Gjebreas

Të rinjtë e “Gjeneratës Alfa”, rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan i përshkruajnë miqësitë si shumë të rëndësishme për ta, si ato reale, edhe virtuale. Për një adoleshent, shoqëritë janë mjedisi ku mund të shprehin veten, përpiqen të përshtaten e të mësojnë diçka. Megjithatë, ata e pranojnë se jo gjithnjë prindërit bien dakord me miqësitë e tyre, çka është një pikë delikate ku të rriturit duhet t’i orientojnë fëmijët që mos të humbasin identitetin dhe vendimmarrjen.

Armand Peza ndan formën që ai dhe Marçela kanë zgjedhur për fëmijët  e tyre që janë në moshën e adoleshencës. Metoda e “fishekut të vetëm” duket se ka dhënë rezultate deri më tani për të nxjerrë në pah miqësitë e gabuara. Ai madje merr si shembull Ardit Gjebrean duke “ia thënë” në sy moderatorit se “s’është shok i mirë”, por këtë herë metoda “s’funksionon”.

Ardit Gjebrea: Ka pasur ndonjë rast kur ndonjë shoqe apo shok i Kaltrës nuk të ka pëlqyer, apo i Jonit,  djalit tënd?

Armand Peza: Është një çikë e vështirë për të dekonspiruar veten apo fëmijët e mi apo formulat me të cilat funksionojmë. Megjithatë, ne kemi një gjë që ka ardhur në heshtje midis nesh.

Ardit Gjebrea: Pyetja ime do të ishte që si duhet të veprojë një prind në momentin që nuk i pëlqen apo  futet pak më thellë në historinë e familjes apo të personazhit, të shokut apo të shoqes në këtë rast që po shoqërohet fëmija?

Armand Peza: Ajo që kemi bërë ne, më shumë ime shoqe se sa unë, ajo është më shumë orë me ta, i kemi dëgjuar me vëmendje gjithë kohën dhe i kemi lënë që t’i nxjerrin vetë konkluzionet e tyre, duke i trysnuar shumë butë. Ne e konsiderojmë sikur kemi vetëm një fishek për të përdorur, për ta vrarë atë të keqen që  është jashtë nesh dhe s’duhet ta shpërdorojmë, duhet gjetur edhe momenti, edhe mënyra sesi t’ia thuash që Arditi nuk është shok edhe aq i mirë.

Ardit Gjebrea: Nuk dhe shembullin më të mirë, por s’ka gjë.

Armand Peza: Tani ca të vërteta duhen thënë!

“Mos të të shoh më me atë shok!”/ Reivisi ‘rebelohet’ ndaj prindërve: Është mosha për të gabuar

Gjatë bisedës me të rinjtë e “Gjeneratës Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, diskutohet edhe mospranimi i disa miqësive të tyre nga prindërit. Ndonëse prindërit duan më të mirën për fëmijët dhe s’duan që ata të ngatërrohen në rrugë të gabuara, për adoleshentët është e rëndësishme që mos t’u imponohen.

Psikologia Anisa Zaçe shpjegon se ka raste kur autoriteti i prinditt mund të përkthehet ndryshe te fëmija dhe ai të bëjë të kundërtën e asaj që i thuhet. Reivisi ndërhyn dhe shton se nuk do të ishte normale që të rinjtë të ndjekin urdhrat e prerë të prindërve pasi tregon mungesë karakteri.

Ardit Gjebrea: Si ndikon te fëmijët momenti që prindi i thotë fëmijës “mos të të shoh më me këtë?”

Anisa Zaçe: Unë mendoj që prindërit e këtyre fëmijëve duhet ta konsiderojnë veten me shumë fat. Unë dikur kur punoja dhe shkoja nëpër shkolla, një djalë më ka thënë “unë gjithmonë i pyes prindërit për shoqërinë time që të sigurohem të bëj komplet të kundërtën e asaj që më thonë”. Kështu që zakonisht tek adoleshentët, ai mendimi i prindit kthehet në një “ah, meqë ti do kështu, unë do të bëj komplet të kundërtën”, sidomos në një moment kur ti ia imponon fëmijës.

Ardit Gjebrea: Rebelohen shokët tuaj dhe shoqet?

Reivis: Është shumë normale në fakt.

Ardit Gjebrea: Është normale po, të bësh të kundërtën e asaj që të thotë prindi.

Reivis: Jo, por do të ishte shumë e çuditshme që meqë prindi të thotë “mos e bëj” ose më saktë, meqë jemi te shoqëria, “mos rri me këtë shok ose shoqe” dhe ti direkt të shkosh t’i japësh duart dhe të mos rrish më. Ti duhet të gabosh, mosha për të gabuar është, çfarë të keqeje ka? Ti do e nxjerrësh konkluzionin me kohën, do të kuptosh nëse prindi kishte të drejtë ose jo. Tani, të të thotë prindi “mos rri me këtë person” dhe ti direkt mos të shkosh të rrish me atë, për mendimin tim është shqetësuese, do të thotë që ti ke rritur një fëmijë që e urdhëron dhe nuk ka fije personaliteti.

“Shok apo prind?” Këshilla e psikologes i jep fund dilemës së të rriturve

Prindërit shpesh vendosen në pozitë përpara fëmijëve ku nuk dinë se çfarë gjuhe dhe qasjeje duhet të përdorin ndaj tyre për t’i bërë të kuptojnë gabimet. Psikologia Anisa Zaçe shpjegon në “Gjenerata Alfa”  nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se prindi s’duhet të  pretendojë të jetë shok me fëmijën, por të mbajë pozicionin e tij.

Sipas saj, roli si prind duhet ndërthurur me gjuhën shoqërore të komunikimit që ai përdor ndaj fëmijës.  Njëkohësisht, prindi është aty për të vendosur edhe kufirin përmes disiplinës dhe pjesëzës mohuese “jo”.

Ardit Gjebrea: Si i bëhet Anisa që ne të kujdesemi për fëmijët që ata të mos përballen me  pasojat e gabimeve se varet nga gabimi, kur themi okej duhet të gabojnë, por deri ku, sa duhet të gabojnë?

Anisa Zaçe: Atëherë, si fillim unë mendoj që ka një rregull që ne jemi rritur, të paktën brezi im me idenë që po unë dua që fëmijën tim ta kem shok, kam thënë unë dhe bashkëmoshatarët e mi.

Ardit Gjebrea: A është e mundur?

Anisa Zaçe: Nuk duhet mendoj unë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Anisa Zaçe: Shokë do të kenë plot ata, kanë nevojë për prind. Kur flasim për shoqërinë, është diçka tjetër. pra, kur flasim kur unë zgjedh shokët dhe prindi im nuk i  pëlqen, unë do të zgjidhja të këshilloja atë prind të flasë me fëmijën e tij pse nuk i pëlqen dhe vendimi sigurisht në fund i mbetet fëmijës.

Ardit Gjebrea: Po kur të flas, do të flas si prind apo si shok?

Anisa Zaçe: Jo, si prind.

Ardit Gjebrea: Po të flas si prind, atëherë ka autoritetin t’i japë të gjitha por gjuha e shokut me fëmijën nuk funksionon?

Anisa Zaçe: Gjuha është tjetër gjë, pozicioni është tjetër gjë. Pra nëse unë zgjedh gjuhë shoqërore, jo të të them mua nuk më pëlqen ai…

Ardit Gjebrea: Atëherë bëjmë marrëveshjen e fjalës, çfarëdo të nddodhë, prindi është prind dhe fëmija është fëmijë. Këtu flasim për strategji, këtu flasim për taktikë, këtu flasim për gjuhën, mënyrën e komunikimit që ti përdor. Nëse do të përdorësh autoritetin e prindit, ndryshon gjëja. Në qoftë se ti do të futesh në piskologjinë e fëmijës dhe do t’i flasësh si shok, atëherë mendoj që është shumë më mirë sesa t’i flasësh si prind.

Anisa Zaçe: Po, këtu jemi dakord. Kur unë thashë që nuk duhet t’i bëhesh shok është që ti të vazhdosh në vazhdën e gjithë gjërave që fëmija mund të dojë të eksperimentojë apo të provojë. Unë mendoj që fëmijët kanë nevojë për disiplinë, kanë nevojë t’u thuhet jo, kanë nevojë që të mësojnë që jo gjithmonë  do të dinë ata ta zgjedhin rrugën e duhur.

/tvklan.al