Janë zbardhur të tjera komunikime nga dosja “Metamorfoza” mes grupit që porositi 4 atentate në vitet 2020-2021. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, ka siguruar dosjen me përgjime. Mes atentateve, ishte edhe ai ndaj Gjin Boriçit (Ndojit), i cili humbi jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Atë e donte të vdekur Ervis Martinaj. Por mes tij dhe Behar Brajoviç (Bajri) është aplikuar “metoda me ndërrim”. Pra Behar Bajri ka marrë përsipër vrasjen e Gjin Ndojit, ndërsa Ervis Martinaj do të vriste Kleant Musabelliun menjëherë pas vrasjes së Ndojit (Lexo më shumë).

Për vrasjen e Kleant Musabelliut interesohej biznesmeni Pëllumb Gjoka. Për këtë ai ka kontraktuar Behar Brajoviç dhe lidhjet e tij. Në këmbim të vrasjes së Musabelliut, Gjoka do të paguante shumën prej rreth 100.000 deri në 120.000 euro. Behar Brajoviç ka pasur rolin e siguruesit të personave që do të kryenin vrasjen, të cilët do të ishin vrasës me pagesë.

Edmond Preka duke qenë person shumë i afërt i shtetasit Pëllumb Gjoka ka pasur dijeni për çdo planifikim për vrasjen e shtetasit Klenathi Musabelliu dhe ka kryer edhe veprime aktive për organizimin e kushteve për vrasje.

Për këtë vrasje, Bajri fillimisht ka organizuar persona të huaj (jo shqiptarë) të ardhur nga shteti i Kosovës dhe i Serbisë për vrasjen e Musabelliut. Më pas, është aplikuar metoda “me ndërrim”.

Në këtë rast, Klaodor Haka ka pasur rolin e sigurimit të informacionit në lidhje me lëvizjet, kontaktet, vendbanimin, ndjekje dhe çdo të dhënë tjetër me interes për Kleant Musabelliun.

Përgjimet

Pëllumb Gjoka i shkruan Behar Brajoviç: Vëlla, nëse edhe një javë nuk më vjen dikush që jam duke prit, a ma gjen një për me mbaru një punë në Tiranë.

Behari i përgjigjet: Po mo vlla, ça të dush, ça të kesh ti personale ta kryej unë vetë.

Pëllumb Gjoka: Jo vëlla, duhet me lek, ndonjë që nuk e ke afër.

Behar Brajoviç: A po thua për atë, për punën tënde?

Pëllumb Gjoka: Po.

Behar Brajoviç: Atë ta kryej unë vetë, nuk ke nevojë me i thënë kërkujt, vetëm leji një njeri në shpinë, se ku rrin. Du me ta kry, për qef.

Pëllumb Gjoka: Jo vëlla, nuk bëhet fjalë, duhet ndonjë që është larg.

Behar Brajoviç: Po kam edhe larg, nga Kosova, po kur të takona po flasim.

Pëllumb Gjoka: Puna është që don shofer ai i Kosovës, por flasim kur të takohemi.

Behar Brajoviç: I kam unë me shofer dhe me tana. Nuk janë nga veriu, deri sa t’ju them se janë dy veta? Sa lek ju ofron se janë dy veta?

Më datë 09.07.2020 ora 09.30 Behar Brajoviç komunikon sërish me Pëllumb Gjokën.

Behar Brajoviç: Unë fola për atë punën tënde dhe më thanë sa paguan. Donin me dit se sa, se për ta kry e kryejnë, vetëm a del.

Pëllumb Gjoka: 50-60-70-80-90-100. Del në rrugë të madhe, është i falur.

Behar Brajoviç: A të ta kryej unë dhe nuk ke detyrim me i dhënë kujt asnjë cent?

Pëllumb Gjoka: Jooo, nuk është punë për ty. Atëherë, hallexhia pagun.

Behar Brajoviç: 100 kërkojnë kto kurva, ose të ta kryej unë.

Pëllumb Gjoka: 100 me ju dhënë vlla.

Behar Brajoviç: Ta kryej unë vëlla dhe mos jep asnjë lek, ose ta paguajmë bashkë.

Pëllumb Gjoka: Jo nuk është punë për ty. Edhe 10 të tjera i kanë shpërblim për punë të pastër. Kur të takohemi do të flasim.

Behar Brajoviç: Punën e bëjnë të pastër.

Më datë 10 Gusht 2020 në orën 20.29 Behar Brajoviç komunikon me Klodor Hakën. Ky i fundit tregon se ka mbajtur çdo lëvizje të Musabelliut.

Klodor Haka: Takova ato njerëzit në Tiranë, i çova tek shtëpia e atij, ja tregova çdo gja, hyrje-dalje, rrugën që bën i dhashë dhe foto. Ato u dukën kamikaz për këtë punë, foli me siguri d.m.th ik pa merak vëlla e ke të kryme. Ishalla po e kryjmë tha për dy dit ose një javë. U futa me makinë të tyre andej. Tash fol me Visin se ja kam dhënë foto atyne unë, çdo gjë ja kam detaju. Ka një favor se aty hyn dhe aty del, s’ka rrugë tjetër. Oraret nga cila orë mund të dali, deri në çfarë ore. Foli me siguri, po tha Visi tha, i q*het motra e ke në tokë. Gjushin me motorr, ishte bashkë me një tjetër që e njoh unë, është shumë i mirë për motorr.

Në orën 20.47 shtetasi Klodor Haka komunikon me Ervis Martinaj. Klodori e pyet, “nëse e takove shokun?”

Në vazhdimësi Klodori i tregon: E takova, e çova tek shtëpia, ja tregova rrugën, oraret kur lëviz, ja dhashë dhe foton se kush është, çdo gjë e ka të qartë. Tani lidhu vetë ti me të se më tha që skam fol me “V”. Ja dhashë të gjitha infot, se vetëm një opsion, nga hyn dhe del në një vend, e ka skicën e bërë. Se e ka direkt në rrugë dhe e ka mbarë aty. Gjithsesi po erdhe ti më shkruaj, natën.

Në orën 22.10 Brajoviç komunikon me Pëllumb Gjokën ku i kërkon që të qëndrojë pranë kamerave për të pasur alibi.

Behar Brajoviç: Shpejt kryhet puna, fola me të…

Më datë 12 Gusht 2020 Brajoviç flet sërish me Pëllumb Gjokën.

Behari i shprehet duke i thënë: O vëlla afati është deri me 1 Shtator mund t’i shkoj atij, është punë orësh, punë ditësh. Këtë muaj rri nëpër kamera.

Pëllumb Gjoka: Kur e mendon ditën?

Behar Brajoviç: Unë me atë jam marrë, i thash si e kena lënë dhe më tha që nuk e kap data 1 Shtator dhe e kam pre dorën me të. Dhe pastaj kam me ja kry atë kurvën tjetër, dy për një. Ai që iku dhe ky “Manueli” duhet me ja kry meqë ta kryn ktë.

Pëllumb Gjoka: Ok vëlla.

Behar Brajoviç: Flije mendjen se nuk ma han fjalën se me fitim ka dal ky dhe nuk është se është duke bërë gjë gratis.

Pëllumb Gjoka: Shikoje vetë vetëm mos na fut në borxh tek ai.

Komunikime ka pasur edhe mes Klodor Hakës dhe Pëllumb Gjokës.

Klodor Haka: Është mirë puna vetëm më duhej noj foto se i kam pas heq atë ditë në Shkodër. I dua për “Kapedanin” se donte me i pa, se unë i kam pas fshi. Kanë has njerëzit pa merak. Kishte qef “Kapedani” me i pa, po unë i kam pas fshi, që tek puna e Shkodrës, prandaj ti lypa ty. Është çdo gjë në rregull kan has dhe njerëzit në të, nuk ngatërrohet ky se është i vecantë me njerëzit e normal. Është çdo gjë e detajuar, informacioni 10, çdo lëvizje, çdo rrugë, oraret të gjitha. E shikoj me orë të numëruara, shpejt do hamë darkën.

Ndërsa Behar Brajoviç i kërkon Pëllumb Gjokës që deri të dielën të mos shkojë në Tiranë.

Behari i shkruan: Deri ditën e diel mos hajde në Tiranë sepse do kryhet, të hënën mundesh me ardh.

Pëllumb Gjoka: Këtu kam nejt në kamera.

Behar Brajoviç: E don sakat apo të vdekur se unë ju kam thënë të vdekur, por thash të të pyes një herë.

Pëllumb Gjoka: Të vdekur vëlla.

Behar Brajoviç: Se këta më kollaj e kanë të vdekur.

Pëllumb Gjoka: Edhe unë ashtu e dua.

Pëllumb Gjoka donte të eliminonte Kleant Muasabelliun, pasi ky i fundit e kishte plagosur disa vite më parë. /tvklan.al