Marçela Mitrofan është një rumune e cila ka jetuar për një kohë të gjatë në Itali dhe më pas është vendosur në Shqipëri. Tanimë ajo është martuar me një shqiptar dhe janë bërë prindër të një djali. Marçela është fizioterapiste në profesion dhe studimet ishin arsyeja që erdhi në Shqipëri, ndërsa sot zotëron edhe një biznes të lidhur me estetikën.
Në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, në rubrikën dedikuar të huajve që jetojnë në Shqipëri, Marçela tregon se si i ka përjetuar tri kulturat e ndryshme që njeh. Duke bërë një krahasim ajo tregon edhe se me cilën prej tyre ngjasojnë më shumë shqiptarët, çfarë i ka bërë përshtypje në momentin që ka ardhur dhe si e mësoi shqipen.
Marçela Mitrofan: Diçka shumë e çuditshme ka qenë fakti “jo” dhe “po”.
Aldo: Tundja e kokës.
Marçela Mitrofan: Po. Është thjesht e kundërta e gjithë botës dhe kam hyrë nëpër supermarkete duke pyetur a keni një pije, më thoshin “po”, unë kuptoja jo dhe dilja.
Aldo: Nga çfarë ke vënë re gjithë këto vite, ne kemi më shumë të përbashkëta me italianët apo me rumunët?
Marçela Mitrofan: Besoj që në ushqim më shumë me italianët, në sjellje më shumë me rumunët sepse ne meqenëse jemi ballkanas, kemi shumë gjëra të përbashkëta, kulturat, tradita, në përgjithësi traditat familjare, dasmat, festat i kemi të ngjashme.
Aldo: Po mikpritjen shqiptare si e përjetove?
Marçela Mitrofan: Shumë mirë, ne si të huaj s’kemi pasur probleme aspak. Të gjithë janë sjellë shumë mirë me ne.
Aldo: Po si ka mundësi e mësove gjuhën shqipe që është gjuhë shumë e vështirë?
Marçela Mitrofan: Unë sa kam qenë në universistet nuk kam ditur fare përveçse “faleminderit”, nuk e kam ditur fare shqipen sepse edhe kur shkonim nëpër restorante ose… të gjithë flisnin italisht kështu që vetëm pastaj kur kam filluar një biznes timin dhe më duhej të flisja me klientet e mia të cilat jo të gjitha dinin italisht, vetëm atëherë kam filluar të mësoj të flas dhe të shkruaj shqip.
Një nga tiparet që Marçela vlerëson më shumë te shqiptarët është lidhja familjare.
Marçela Mitrofan: Diçka që më pëlqen shumë në Shqipëri është që familja është shumë e lidhur.
Aldo: Edhe në Rumani kështu është.
Marçela Mitrofan: Edhe në Rumani, por ne shkojmë maksimumi deri te grada e dytë.
Aldo: Çuni i xhajës ose dajës.
Marçela Mitrofan: Ndërsa te ju familja është shumë e madhe./tvklan.al