700 mijë euro, 2 apartamente dhe 2 garazhe, por sot Arbeni nuk ka asnjë prej këtyre në emrin e tij. Të gjitha këto të ardhura dhe pasuri që erdhën si rrjedhojë e aksidentit të tij në vitin 2002 në Greqi, gjenden në emrin e të atit.
Ky detaj i rëndësishëm e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan përpara Lilianës, gruas që e zgjodhi me dëshirën e saj të plotë pavarësisht se gjendet në karrige me rrota. Ata presin të bëhen prindër për herë të tretë. Liliana ka mësuar se kjo pasuri është kaluar në emrin e vjehrrit të saj, Enverit vetëm 4 ditë para celebrimit të çiftit në vitin 2016.
Arbeni s’ka parë asnjë qindarkë prej këtyre 700 mijë eurove. Në lidhje telefonike me studion, gjendet nëna e tij, Drita që përpiqet të shmangë çdo pyetje se ku kanë shkuar paratë. Ajo thotë se çifti vendosi të jetonte veçmas pasi Liliana u grind me nusen e djalit tjetër, por Arbeni i del në mbrojtje bashkëshortes.
Eni Çobani: Kush ka qenë ndihma dhe kontributi juaj material për marrjen e këtyre banesave, znj. Drita?
Arben: Asnjë!
Drita: Ka qenë ndihma e krejt fëmijëve të mi dhe krejt ndihma ime dhe e burrit.
Eni Çobani: Dhe ju mund të merrni 2 apartamente në Tiranë me atë çmim? Dhe 2 garazhe? Ka qenë një shumë e konsiderueshme, e nderuar. Unë dua të di në anën tjetër, ku është shuma prej 700 mijë eurosh e marrë e djalit tuaj në aksident? Ku kanë vajtur 700 mijë euro?
Drita: Ku kanë vajtur? Në shtëpi kanë vajtur.
Eni Çobani: Pse paratë, 700 mijë euro mbahen në shtëpi?
Arben: Në shtëpi të kujt?
Drita: Arbeni mori gruan dhe doli në hyrje të vetën aty ku ishte dhe tha nuk kam punë me ju. Ne ishim aty, me gjithë burrin e djalin tjetër ngelëm aty.
Eni Çobani: Ku ngelët? Ngelët në apartamentin tjetër.
Drita: Ngelëm aty në shtëpi. Tha unë nuk kam punë me ju, do të dal më vete.
Arben: Për çfarë arsyeje kërkova unë të dal më vete?
Drita: Doli më vete se s’i pëlqeu gruas.
Liliana: Bravo! Kjo ishte vjehrra!
Arben: Arsyeja?
Drita: Arsyeja se gruaja jote bëri llafe me atë tjetrën.
Arben: Pikërisht! Pse ishte e mirë deri kur nuk ishte ajo? Apo ishte e mirë edhe kur bëtë aksidentin juve? Kur erdhi ajo u bë e keqe kjo?
Drita: Ku u bë e keqe? Dole më vete djalë!
Arben: Dola më vete që të mos krijohet sherr! Pikërisht se na erdhi skuthi brenda dhe na futi sherrin se deri kur nuk ishte ajo kjo ishte e mirë!
Eni Çobani: Kush ishte personi për të cilin flasim?
Arben: Nusja e vëllait!/tvklan.al