Aksidenti i vitit 2002 në Greqi kur ishte vetëm 22 vjeç, e la Arbenin në një karrige me rrota. Njëkohësisht, shteti fqinj e dëmshpërbleu me një shumë të konsiderueshme prej 700 mijë eurosh dhe një pension mujor.
Me këto para, prindërit mbuluan shpenzimet e spitalit, kujdesin për Arbenin dhe arritën të blinin dy apartamente në Tiranë pranë e pranë, 2+1 dhe 1+1. Siç tregon Arbeni në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, në të parin jetonte motra me familjen e saj dhe në tjetrin Arbeni e prindërit.
Në vitin 2012, Arbeni njihet me Lilianën e cila thekson se nuk dinte asgjë për paratë, por zgjodhi që të kalonte jetën me të. Ata kanë dy fëmijë dhe presin që të vijë i treti pasi Liliana është sërish shtatzënë.
Edhe pse të blera me paratë e tij, Arbeni nuk zotëron asnjë prej këtyre apartamenteve apo parave të dëmshpërblimit. Kjo e ka çuar në konflikt me Lilianën që thotë se nuk e pret më.
Eni Çobani: Në vitin 2013 u martuat direkt apo…
Liliana: Në 2016-ën është bërë celebrimi sepse e kam kërkuar unë të bëhet celebrimi. Ky, një muaj para se të bëhet celebrimi…
Arben: Nuk e kam bërë unë!
Liliana: Ka bashkëpunuar me të atin për të kaluar pronën në emër…
Arben: Prit pak! Nuk e kam bërë unë!
Liliana: Ore, ti e ke bërë se ti e ke dhënë atë deklaratë, s’e kam dhënë unë!
Arben: E kam dhënë, nuk e mohoj se e kam dhënë!
Liliana: Ku i ke sot more? Më lër rehat!
Arben: Atë dua të zgjidh edhe unë, por qëndromë në krah!
Liliana: Ore zotëri ke që në 2016-ën ti me këtë muhabet akoma? Nuk të pres më!
Sipas pretendimit të Lilianës, Arbeni ka bërë një deklaratë që çdo pasuri e tij t’i kalojë babait, Enverit pikërisht para celebrimit. Këtë e konfirmojnë edhe dokumentet: celebrimi është realizuar 4 ditë pas deklaratës.
Eni Çobani: Në 2015-ën keni nisur një vetëdeklarim për të bërë legalizimin e kësaj banese dhe çudia, sikundër thotë Liliana me të drejtë, pikërisht në datën 30.03.2016, ke vajtur përpara noteres Anila Çelaj dhe ke bërë një deklaratë noteriale. Tani të thuash që unë nuk e di se çfarë bëra, kjo është e tepërt sepse ti tani di të lexosh, di të kuptosh, ke jetuar në Greqi, pra ka shumë elementë këtu dhe ti me ndërgjegje ke shkuar dhe ke thënë: “Deklaroj dhe paraqes këtë deklaratë për procedurat e legalizimit përpara Agjencisë së Aluizmit për dy apartamente dhe dy garazhe, prona të cilësuara më lart, jam dakord të regjistrohen në emër të babait, Enver Palushi”. E ke dhënë ti zotëri.
Arben: E kam dhënë!
Eni Çobani: Tani, ku është çudia tjetër, e fundit? Janë celebruar më 04.04.2016, 4 ditë pasi është bërë kjo deklaratë.
Liliana: Pse e bëre? Nga kush kishe frikë? Nga kush kishe frikë, prej meje?/tvklan.al