Shpërblimi për informacione që çojnë në arrestimin e Ruja Ignatova ose “Mbretëreshës së kriptove” është rritur në 5 milionë dollarë.

44-vjeçarja me origjinë gjermano-bullgare është në kërkim nga FBI për një mashtrim 4.5 miliardë dollarë me kriptomonedhën OneCoin.

Ajo është në kërkim që prej vitit 2017 kur autoritetet amerikane firmosën mandatin e arrestimit dhe nisi kërkimi i saj.

3 javë më parë, një ‘podcast’ nga BBC zbuloi lidhjet e saj me botën e nëndhenshme bullgare, bosin mafioz të dyshuar për zhdukjen e saj dhe ndoshta, vrasjen. Autoritetet vazhdojnë kërkimin e tyre për Ignatova.

Në vitin 2022, FBI e vendosi në listën e 10 më të kërkuarve duke ofruar një shpërblim prej 100 mijë dollarësh që më vonë u rrit në 250 mijë. Të mërkurën shifra u njëzetfishua si rezultatet i Programit të Departamentit të Shtetit për Shpërblimin e Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

“Po ofrojmë një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacione që sjellin arrestimin ose dënimin e shtetases gjermane Ruja Ignatova, e njohur si ‘Mbretëresha e kriptove’ për rolin e saj në një prej skemave më të mëdha të mashtrimit në histori”.

Ignatova është e vetmja grua në shënjestrën e FBI.

Po i njëjti shpërblim ofrohet për informacione për Daniel Kinahan, kreu i një prej kartelëve më të mëdhenj të drogës në Europë.

E njëjta shifër është vendosur edhe për Semion Mogilevich, një bos krimi në Rusi dhe Yulan Adonay Archaga Carías, i njohur si “Porky” që  është anëtari kryesor i grupit kriminal MS-13 në Honduras./tvklan.al