Gërhitja e fortë shkaktohet nga gjuha e shëndoshë. Të dhënat vijnë nga një punë e re kërkimore, e cila gjeti një lidhje tek pacientët me apnea të rëndë obstruktive të gjumit, që shkakton gërhitjen, dhe indeksit të masës trupore mbi 30.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja The Sun, ata që ranë në peshë kishin përmirësim të gjumit gati me një të tretën. Skanerët MRI treguan se ulja e masës dhjamore të gjuhës ishte çelësi.
Profesori Richard Schwab tha se pjesa më e madhe e ekspertëve nuk ishin fokusuar më parë tek masa dhjamore e gjuhës. “Tashmë ne e dimë që është një faktor tepër i rëndësishëm”, theksoi eksperti.
Të qenit mbipeshë, prej kohësh është lidhur me apnean dhe gërhitjen. Por mjekët mendonin se me gjasë kishte lidhje me qafën e shëndoshë.
Puna kërkimore e realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori në ekzaminim 67 pacientë, të cilët humbën 10 përqind të peshës së tyre trupore në 6 muaj. Muskuli i nofullës që kontrollon përtypjen u tret, ashtu sikurse edhe muskujt e rrugëve të frymëmarrjes.
Të dyja këto ndryshime lehtësuan simptomat, por jo aq shumë sa humbja e masës dhjamore tek gjuha.
Të dhënat kërkimore sugjerojnë se rënia në peshë mund të ndihmojë në luftën kundër apneas./tvklan.al