Si çdo të Martë, kryeministri Edi Rama pati një komunikim virtual “Sy m’Sy” me qytetarët. Gjatë fjalës së tij ai u ndal dhe tek një pikë shumë e rëndësishme që ka të bëjë me legalizimin e pronave. Pavarësisht përparimeve të fundit që ka bërë qeveria në këtë fushë, Rama thekson se gjithsesi vazhdojmë të jemi mbrapa në krahasim me vendet e tjera.
Ai tha se legalizimi i pronave do të aplikohet online dhe më pas ky shërbim do të merret me postë, duke formësuar kështu një hartëzim dixhital. Kreu i qeverisë theksoi se ky është një nga kushtet e vendosura nga BE për negociatat e anëtarësimit dhe duhet të jetë finalizuar deri në 2028-ën.
“Sa i përket titujve të pronësisë kemi një progres të konsiderueshëm në krahasim me sa kishim më përpara, sepse nuk ka më radha tek Hipoteka dhe shërbimi merret duke aplikuar online dhe më pas merret me postë. Nuk e kemi akoma ciklin e përfunduar dhe jemi të vetëdijshëm që sistemi ka ende korrupsion, kjo nuk diskutohet. Por, ama në planin e negociatave dhe BE-së, sepse dhe BE e ka konstatuar këtë fakt dhe e ka vënë një nga kushtet e përfundimit të negociatave që duhet të përfundojmë gjithë hartësimin dixhital të pronës, brenda përfundimit të negociatave që është fundi i vitit 2027.
Për këtë na është lënë një afat 2028-a, si një kohë e ndërmjetme kur negociatat konsiderohen të përfunduara. Ndërkohë çështja do të shkojë në nivelin e Këshillit Europian dhe pastaj do të shkohet për t’u aplikuar anëtarësimi nga vendet anëtare. Në këtë pikë kjo është e vërtetë dhe patjetër që qytetarët kanë të drejtë të ankohen sa i përket titujve të pronësisë, ndërkohë që është bërë një përparim shumë i madh sepse këto të dhëna flasin qartësisht për një transformim të madh për dhënien e titujve”, tha Rama./tvklan.al