Atentatorët derdhën 150 plumba mbi të
Breshëri plumbash ndaj policit që ishte pjesë e ekipit të forcave speciale që arrestuan djalin e El Chapos në operacionin e 17 Tetorit në Kuliakan, në perëndim të Meksikës. Kjo video tregon momentin kur pjesëtarë të kartelit famëkeq të drogës Sinaloa, ndjekin nga pas automjetin e policit dhe derdhin ndaj tij mbi 150 plumba në një parkim të këtij qyteti.
Ngjarja ndodhi të mërkurën dhe viktima, trupi i të cilit shfaqet në këtë foto të shkrepur pak minuta pas atentatit është identifikuar me emrin Edoardo, 32 vjeç. Ai ishte oficer i rangjeve të larta në njësinë policore kundër krimit të organizuar.
Autoritetet meksikane thanë se pista kryesore e hetimit është hakmarrja ndaj tij si pjesë e operacionit për kapjen e Ovidio Guzmanit. Kjo video e 17 Tetorit ka fiksuar momentet kur forcat speciale të policisë dhe ushtrisë ndërhyjnë për të arrestuar djalin e El Chapos.
Megjithatë, Ovidio Guzman u lirua gjatë këtij operacioni pasi vëllai i tij Arcivaldo Guzman rrethoi me njerëz të armatosur zonën ku zhvillohej operacioni dhe kërcënoi me masakra policinë dhe banorët e zonës. Presidenti Manuel Lopez Obrador i ka shpallur luftë frontale krimit, por kjo ka nxitur një luftë të përgjakshme mes policisë e ushtrisë dhe bandave të mirë armatosura të drogës.
Tv Klan