Opinion- Osama Bin Laden është një nga emrat që do të mbahet mend gjatë në historinë e botës, si një nga terroristët që tronditi sigurinë e një prej vendeve më të fuqishëm të botës, SHBA.
Ai ishte kryeterroristi i globit dhe një prej njerëzve më të famshëm në sensin negativ dhe më të kërkuar nga SHBA dhe shtete të tjera. I akuzuar për shumë vrasje dhe si njeriu që arriti të shkatërronte kullat binjake në New York në Shtator të vitit 2001, Osama Bin Laden iu ishte zhdukur ndjekësve të tij duke mos lënë asnjë lloj gjurme, e duke ngritur mister që kishte përfshirë gjithë botën.
Zëri i tij për herë të fundit ishte dëgjuar në malet e Tora Borës, në perëndim të Afganistanit, gjatë sulmit amerikan të vitit 2001, kur ai kishte komunikuar me mbështetësit e tij. Por misterit i erdhi fundi… Më 1 Maj të 2011 Osama Bin Laden u eliminua nga një njësi e marinës së SHBA në vilën e tij në Abotabad, në periferi të Islamabadit.
Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 30 Maj 2011 trajton eliminimin e kryeterroristit Osama Bin Laden.
Çdo media e botës foli për eliminimin e Osama Bin Laden, por si ndodhi eliminimi i njeriut më të kërkuar për 10 vite nga Shërbimet Sekrete?
Historia nis në 2007-n, kur njëri prej bashkëpunëtorëve të tij të afërt, i cili ndodhej në burg, deklaroi se Osama Bin Laden nuk vepronte as me telefon, as me internet dhe me asnjë lloj mjeti tjetër komunikimi, por me korrierë. Kjo u bë edhe zanafilla e zbulimit të tij nga Shërbimet Sekrete.
Në Gusht të vitit 2010, Shërbimet Sekrete gjurmojnë një prej korrierëve të Osama Bin Laden, Al Kuvajti, i cili kur afrohej në periferi të Islamabadit humbte gjurmët, pasi fikte telefonin dhe i hiqte atij baterinë.
Pas studimeve për muaj të tërë me satelitë, më 1 Maj të 2011 trupat amerikane u futën në vilën e Osama Bin Laden dhe operacioni që ishte parashikuar të zgjaste jo më shumë se 35 minuta, i kaloi të 40-at. Osama Bin Laden u eliminua dhe helikopterët morën me vete trupin dhe arkivën e tij./tvklan.al