Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, zhvilloi një dëgjesë me grupin parlamentar të PS-së pas masave të sigurisë që u lëshuan ndaj 24 zyrtarëve të saj.
Sallaku tha se ka qenë vetë subjekt i marrjes së telefonit dhe e ka dhënë pasi nuk ka asgjë për të fshehur.
“Kemi qenë shumë të hapur, shumë bashkëpunues. Është hapur një proces. Unë nuk di asnjë lloj informacioni se çfarë është trajtuar. Fatmirësisht Ligji i Arsimit të Lartë e ndan shumë mirë anën administrative me anën akademike. Rektori me stafin e mbaron punën e vet deri me dërgimin e buxhetit në senat. Parlamenti miraton buxhetin, e njëjta gjë edhe në senat. Rektorati ka një vizion dhe mision për të arritur tashmë. Kemi një strategji që nënkupton në 2030 ky universitet të jetë i ngjashëm me BOKU-n e Vjenës. Unë kam qenë subjekt i marrjes së telefonit, e kam dhënë, skam asgjë për të fshehur. Kemi qenë shumë bashkëpunues, do jemi bashkëpunues, kemi dhënë dokumentacionet e kërkuara, por vetëm kaq”, tha Sallaku.
Ai sqaroi se qëllimi pse shkoi të fliste para deputetëve nuk ishte për politikë, por për shkak të arritjes që pati UBT me uljen në tavolinë me Universitetin BOKU të Vienës.
“Dua edhe një herë të siguroj sepse ky është qëllimi kryesor, ju garantoj nuk jam këtu për politikë. Me kryeministrin kemi folur disa herë, edhe para dy vitesh kemi folur, kemi shkëmbyer goxha koncepte dhe kemi ardhur këtu. Asnjë nuk e besonte që do vinte një ditë më optimiste që UBT do ulej në tavolinë me BOKU-n. Në këtë aspekt ne kemi filluar këtë lloj bashkëpunimi, jemi të gatshëm, por do doja shumë që debati të mos merret me anësoret, por thelbin. Ky universitet i duhet Shqipërisë, i duhet ekonomisë shqiptare. Ky staf që punon, prindërit, studentët duhet të qetësohen sepse jam i sigurtë që në Shtator do shohim një ofertë të re akademike. Shumica e gjithë stafit është e përkushtuar dhe shpresoj shumë që personat në hetim të gjejnë të gjitha energjitë, unë i mirëkuptoj sepse është shqetësim i madh, por shpresoj shumë që çdo gjë të shkojë në vendin e vet”, tha rektori sipas të cilit drejtësia duhet të bëjë punën e vet dhe se ai është i gatshëm për të siguruar çdo lloj informacioni./tvklan.al