Pista e skive në Dardhë në fakt ka nisur si një pistë për një familje, por me kalimin e viteve njerëzit që e kanë frekuentuar kanë qenë të shumtë aq sa në sezonin dimëror radha e makinave shkon 3-4 kilometra në radhë e njerëzit ecin më këmbë 45 minuta për të arritur në destinacion.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka qenë administratorja e pistës së skive në Dardhë, udhërrëfyesja turisitke Paola Tasho e cila ka treguar se si babit të saj i ka lindur ideja për krijimin e kësaj piste.
Paola Tasho: Unë jam përveçse guidë turistike specialiteti i veçantë, jam edhe administratore e qendrës së skive pranë fshatit Dardhë në qytetin e Korçës.
Blendi Fevziu: Kur është ndërtuar pista e skive në Dardhë?
Paola Tasho: Në vitin 2006, 2008, ka qenë dëshira e babait tim për të pasur një pistë skish për familjen tonë, jo për turizëm dhe ai kishte dëshirë që ta ndërtonte një që ne të praktikonim sportin. Gjatë një vizite që babi bëri me mamin tek kjo zona që ne kemi sot pistën, atij i pëlqeu shumë dhe vendosi që këtu do të bëjmë një pistë skish për familjen tonë dhe të vijmë fundjavave apo gjatë javës kur mbaronim shkollën. E bëri si pistë familjare. Ne kishim vetëm një pistë 400 metra të gjatë. Ai shkoi në Itali, bleu një teleferik që ishte me litar, ne mbaheshim në litar. Pistën e shtypnim me këmbë, i vinim skitë me këmbë. Të premten shtypnim postën dhe të shtunë e të dielë bënim ski. Sot kemi 3 pista nga 400 metra. Janë 3 njëra pas tjetrës dhe pastaj filluan të vinin disa shokët e tij nga Tirana, pastaj ata ftuan disa shokë të tjerë. Ne kishim 6 bunkierë që qëndronim se aty ishte një ish-zonë ushtarake. Njerëzit qëndronin nëpër bunkierë. Rrinim në bunkierë brenda.
Blendi Fevziu: Po për energji elektrike si bënit?
Paola Tasho: Energji elektrike nuk kishim, kishim një gjenerator që ndiznim dritat dhe punonte dhe teleferiku.
Blendi Fevziu: E nisët si familje, po tani sa njerëz e vizitojnë?
Paola Tasho: Tani mund të them që radha për parkimin është jashtë funksionit se nuk i përballon dot dhe kilometrat mund të shkojnë gati 3-4 radha e makinave për në ski. Njerëzit ecin gati 45 minuta në këmbë për të ardhur tek pista për të bërë ski. Për momentin, është e vetmja pistë skish në Shqipëri funksionale e organizuar.
/tvklan.al