Stacioni i Policisë Kufitare të Kapshticës ka njoftuar të gjithë qytetarët e interesuar për të kaluar kufirin me Greqinë se aktualisht është plotësuar kuota ditore e 300 personave që duhet të kalojnë doganën. Për pasojë pala greke ka pezulluar punën dhe nuk lejohet kalimi i personave të tjerë për ditën e sotme.
“Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që të mos vijojnë udhëtimin në drejtim të PKK Kapshticë për ditën e sotme”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i policisë vjen pasi në doganë qëndrojnë disa emigrantë që presin të kalojnë në tokën greke. Një pjesë e tyre shprehen se kanë kryer tamponin dhe sot u përfundon afati i vlefshmërisë prej 72 orësh që ka përcaktuar Greqia.
Mbi 60 emigrantë kaluan natën në Kapshticë për shkak se nuk arritën të kalonin gjatë ditës së shtunë. Një pjesë e tyre u kthye mbrapsht për shkak se iu mbaroi afati i testit Covid. /tvklan.al