Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëron prishjen e aleancës me Shtetet e Bashkuara. E përditshmja amerikane “The New York Times” publikoi një editorial që mban autorësinë e kreut të shtetit turk, i cili shpreh pakënaqësinë e thellë ndaj Uashingtonit për sanksionet që ndikuan në rënien drastike të vlerës së monedhës kombëtare turke.
“Derisa Shtetet e Bashkuara të nisin të respektojnë sovranitetin e Turqisë dhe të tregojnë me prova se i kuptojnë rreziqet që i kanosen kombit tonë, partneriteti ynë mund të jetë në rrezik. Para se të jetë tepër vonë, Uashingtoni duhet të heqë dorë nga nocioni i keqorientuar se marrëdhënia jonë mund të jetë asimetrike. Dështimi për të ndryshuar këtë prirje të unilateralizmit dhe mosrespektimit do të na detyrojë që ne të fillojmë të kërkojmë miq dhe aleatë të rinj.”
Të premten, shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi në Twitter vendosjen e tarifave të larta për importin e çelikut dhe aluminit nga Turqia. Njoftimi i Donald Trumpit shkaktoi rënien me 20% të vlerës së Lirës turke brenda 24 orëve.
Marrëdhëniet mes dy partnerëve të rëndësishëm të NATO-s kanë pësuar krisje veçanërisht pas arrestimit të priftit amerikan Endrew Branson, të cilin Ankaraja e akuzon për pjesëmarrje në grushtin e dështuar të shtetit të korrikut 2016. Turqia kërkon shkëmbimin e tij me klerikun Fetullah Gylen, kundërshtarin kryesor politik të Erdoganit, organizatat e të cilit konsiderohen grupe terroriste.
Krahas mosmarrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara, Turqia po përmirëson dukshëm marrëdhëniet me Rusinë. Kontrata për blerjen nga Ankaraja të sistemit të mbrojtjes raketore ajrore ruse S-400 ka ndikuar po ashtu në acarimin e marrëdhënieve me Uashingtonin, duke qenë se Rusia është një prej armiqve kryesorë të NATO-s.
Tv Klan