Qeveria nuk ndryshon shumën pas donacioneve
Qeveria do të emetojë një Eurobond me vlerë 600 milionë euro, pavarësisht granteve dhe kredive që arrijnë në 1.15 miliardë euro, të cilat u ofruan të vijnë nga donatorët më 17 Shkurt për procesin e rindërtimit.
Në një kërkesë drejtuar bankave ndërkombëtare, të cilat do të bëjnë rolin e menaxherit gjatë procesit të emetimit të eurobondit, Ministria e Financave thotë se vlera e eurobondit do të jetë 600 milionë euro.
Në Nëntor të vitit 2019 planifikohej që vlera e eurobondit të ishte 500 milionë euro, ku 300 milionë do të shkonte për rinovuar afatin e maturimit të bondit të vjetër dhe pjesa tjetër ishte huamarrje e jashtme, sipas përcaktimeve të ligjit të buxhetit.
Tërmeti ndryshoi situatën dhe kërkesa për vlerën e bondit të ri shkon në 600 milionë euro me një afat maturimi nga 7 në 10 vjet.
Mendohet që Shqipëria të dalë në tregjet ndërkombëtare gjatë muajve të verës, për shkak se tenderi për përzgjedhjen e një konsulenti ndërkombëtar për këtë proces dështoi dy herë, pasi nuk u paraqit asnjë ofertues.
Kjo është hera e katërt që qeveria po përdor si instrument për marrjen e borxhit daljen në tregjet ndërkombëtare. Risku i eurobondit lidhet me normën e interesit që ofrojnë investitorët, por nga ana tjetër nuk ezauron fondet e bankave për t’i dhënë borxh qeverisë dhe i jep asaj mundësi të marrë hua në një shumë më të madhe. Herën e fundit, në vitin 2017 norma e interesit të tij shkoi në 3.55%.
Tv Klan