Pezullimi nga Donald Tramp i fluturimeve të avionëve që marrin afganët ish-bashkëpuntorë të amerikanëve që morën arratinë nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të talebanëve ka shkaktuar paqartësi tek ky komunitet që jeton ende në Shqipëri.
Në një reportazh të medias ndëreuropiane Euronews me qendër në Lion, ata kërkojnë që Uashingtoni të përmbushë premtimin për t’i marrë në Shtetet e Bashkuara.
Pas Gushtit 2021, kur amerikanët kryen tërheqjen e plotë kaotike nga Afganistani, Shqipëria pranoi të strehojë përkohësisht 3200 afganë ish-bashkëpuntorë të ushtrisë amerikane dhe familjarë të tyre, nga 180 mijë në total që u larguan nga vendi. Pas rreth 4 vitesh është e paqartë se sa prej tyre kanë mbetur ende në vendin tonë. Ata janë të strehuar në Shëngjin.
Që në ditët e para të presidencës, Tramp nënshkroi pezullimin me 3 muaj të fluturimeve të tyre drejt SHBA, periudhë gjatë së cilës, sipas Euronews do të përpilohet një raport mbi numrin e kësaj kategorie afganësh që janë strehuar deri më sot në Shtetet e Bashkuara dhe sa të tjerë mbeten ende në vendet e huaja, kryesisht në vendin fqinjë Pakistan.
Tv Klan