Banorët e qytetit spanjoll të Valencias populluan plazhet në fundjavë për të përballuar temperaturat e larta që arritën mbi 40 gradë Celsius. Në zonat e brendshme të Valencias temperatura arriti 44C.
Agjencia kombëtare e motit e Spanjës lëshoi një alarm të kuq për shkak të rrezikut të nxehtësisë, paralajmërimi më i lartë, në rajonin e Valencias.
Rrymat e nxehta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore sollën nxehtësi përvëluese në Spanjën Jugore, ku në qytetin andaluzian të Seviljes u regjistrua temperatura mbi 40 gradë këtë fundjavë, sipas shërbimit kombëtar të motit (AEMET).
Ajri ishte po aq i nxehtë dhe në qytetin verilindor të Zaragozës, për të cilin autoritetet paralajmëruan se mund të ndeshet me temperatura deri në 44 gradë. Ndërkohë, në Itali, Ministria e Shëndetësisë lëshoi nivelin më të lartë të paralajmërimit të nxehtësisë për 11 qytete.
Një sistem me presion të lartë ka sjellë në vend vapë të madhe prej disa ditësh, ndërsa lagështia e lartë i shton vështirësitë.
Më tej në lindje të Greqisë, shumë rajone janë prekur nga nxehtësia dhe zjarret. Kryeqyteti, Athina, ka regjistruar temperatura mbi 30 gradë për 10 ditë dhe netët e fundit.
Nxehtësia e vazhdueshme mund të jetë rraskapitëse për trupin e njeriut. Megjithatë, jo çdo vend po “rënkon në vapë”. Në Holandë, një valë të nxehti treditore ka sjellë ngrohtësinë dhe rrezet e diellit shumë të nevojshme pas reshjeve rekord në muajt e fundit.
Shërbimi kombëtar i motit tha se vendi ka përjetuar “një pranverë shumë të lagësht dhe para kësaj, dimër dhe vjeshtë”.12 muajt nga qershori 2023 deri në 2024 ishin në fakt periudha më e lagësht njëvjeçare e regjistruar ndonjëherë në Holandë.
Megjithatë, temperaturat e larta nuk do të zgjasin dhe sinoptikanët parashikojnë rikthim të freskisë.
Klan News