Temperaturat e larta të kësaj vere kanë shtuar rastet e pacientëve me probleme në lëkurë.
Dermatologia Rozana Çela thotë se kryesojnë diegiet e lëkurës, si dhe infeksionet bakteriale dhe mykotike.
“Sivjet problematikat e lëkurës janë në rritje edhe për vetë faktin se i nxehti këtë vit ka qenë më i shprehur. Rastet kanë qenë gati 30-40 vizita në ditë. Një ndër problematikat e shpeshta janë djegiet nga dielli, kur djegiet janë të shkallës më të lartë shfaqen me praninë e bulëzave, me ethe, me temperaturë.”
Ndërsa rastet me infeksione në lëkurë sipas mjekes vijnë kryesisht nga pacientë që kanë frekuentuar pishinat.
“Infeksionet nga plazhi janë më të pakta, kryesisht këto infeksione merren nga pishinat.”
Më problematike janë grupmoshat e reja.
“Janë kryesisht moshat nga 17 deri në 35-40, për vetë faktin se të rinjtë janë më të ekspozuar ndaj temperaturave të larta, moshat e treta janë më të kujdesura.”
Për të mbrojtur lëkurën rekomandohet që të shmangen rrezet e diellit përgjatë orës 10 me 4, ndërsa pushuesit duhet të riaplikojnë kremin e diellit me faktor të lartë mbrojtës çdo dy orë.
Tv Klan