Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ka propozuar një projektligj për shtyrjen e afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje.

Diskutimet për këtë propozim u zhvilluan në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

“Hotelet me 5 yje janë një risi në këtë ekonominë tonë të turizmit, kërkon që të sjellë, të hapë vende të reja pune, kërkon të sjelli eksperiencën e brendeve që ato përfaqësojnë. Pra operimi të bëhet në bazë të eksperiencës shumë të madhe që brendet kanë duke u kthyer në shkolla të vërteta për ata të cilët punojnë në këto struktura”, tha Blendi Klosi.      

Megjithatë, propozimi i Klosit është kundërshtuar nga përfaqësuesit e PD-së dhe jo vetëm.

“Ndërkohë që buxheti po miratohej, vjen propozimi i zotit Klosi, që në gjykimin tim zoti Klosi është edhe në shkelje të dispozitave që ka kodi përsa i përket faljes së taksave sepse jemi në periudhë zgjedhore”, tha Jorida Tabaku.

“Çfarë përfitimesh të tjera kemi ne për hotelet me 4 dhe 5 yje brend name”, pyeti Erion Braçe.

Sipas Ministrisë së Financave janë 10 kontrata te lidhura me qeverinë shqiptare për këto struktura luksoze të cila injektojnë miliarda Lekë në ekonominë e vendit.

“Për vitin 2023 ka patur një qarkullim rreth 5.2 miliardë Lekë vetëm nga këto kompani që kanë marrë këtë status dhe kanë qenë rreth 888 vende të reja pune që janë hapur nga këto kompani”, tha Arjana Dyrmishi.  

Ky propozim i Klosit vjen pasi sipas ligjit ekzistues të gjitha këto struktura akomoduese që përfitonin statusin special brenda datës 31 Dhjetor të vitit të kaluar, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për një periudhe 10-vjecare dhe përfitojnë këtë status deri në Dhjetor të 2026.

Klan News