Në emisionin “Shije Shtëpie”, ishte e ftuar Teuta Maçi, farmaciste, për të trajtuar, informuar dhe këshilluar rreth një shqetësimi që haset shpesh, siç është Helikobakter Pilori, pikërisht pasi prania e tij në trup mund të shkaktojë problem serioze.
Teuta Maçi: Arsyeja pse e kemi zgjedhur për të folur prezencën e Helikobakterit në trupin e njeriut, është pasi prania e tij në trup mund të shkaktojë probleme të mëdha në shëndet. Mund të shkaktojë ulçer, mund të shkaktojë dhe deri në 1%, deri në 2% të pacientëve që e mbartin, kancer të stomakut dhe të zorrës.
Ka disa forma në të cilat mund të testohet. Forma më e lehtë është përmes një analize të jashtëqitjes. Njëkohësisht ka laboratore apo klinika mjekësore, të cilat e masin përmes frymës.
Por, çfarë është Helikobakteri?
Teuta Maçi: Është një bakter, si shumë baktere të tjera, por që ka aftësinë të vendoset në stomakun tonë dhe të qëndrojë aty. Dhe në momentin që vendoset fillon shumohet dhe aty shkakton inflamacion të kësaj cipe, dhe dëmin, atë që quajmë gastrit të stomakut.
Farmacistja Teuta Maçi na njeh me rrugën që duhet ndjekur për ta trajtuar këtë bakter.
Teuta Maçi: Ajo që e ndihmon pacientin ta trajtojë këtë bakter është terapia me antibiotikë dhe me mbrojtës të stomakut. Përdorimi i antibiotikëve dhe mbrojtësve të stomakut bëjnë që ky bakter të eliminohet nga trupi.
Mbrojtësit e stomakut për fat të keq kanë efekte anësore. Sepse shumë pacientë i marrin mbrojtësit e stomakut pa kuptuar shkakun e vërtetë të sëmundjes së tyre.
Ndërkohë, si një mjekim që e përdorin shumë si mbrojtës stomaku është soda e bukës. Sipas farmacistes Maçi, personat që kanë problem me tensionin apo me gurin në veshka nuk këshillohet ta përdorin. Ndërsa pjesa tjetër e pacientëve nuk ka asnjë problem që ta përdorin.
Teuta Maçi: Këshilla është që të përdoret larg ushqimit. E mira do të ishte të mos merret esëll./tvklan.al