Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pa treguar datë ka paralajmëruar takim me partitë politike për t’i gjetur zgjidhje “Nyjës së Presidentit”, kjo pasi që në krye të shtetit është një ushtruese detyre, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
Se shefi i Lidhjes – si partia kryesore e koalicionit e ka tashmë timonin për të gjetur zgjidhje për këtë temë, e tha edhe kryetari i grupit parlamentar në LDK, Arben Gashi, sot pas një takimi disaorësh partiak.
Ish-këshilltari i Mustafës në kohën sa ky ishte kryeministër, Faton Abdullahu, mendon se ish-shefi i tij do të ketë të zorshme të tregojë sukses në këtë situatë.
Kjo në kohën kur nga partneri i koalicionit – AAK, deklarojnë se nuk ia japin kujt votën përpos kryetarit të tyre Ramush Haradinaj për president të Republikës.
Ndërsa nga PDK-ja opozitare kanë sqaruar se nuk japin vota, siç i quajnë ata “veresie” dhe se votojnë për president një kandidat që është i kësaj partie apo është propozim i tyre.
Derisa pritet performanca e tij politike në këtë situatë, Isa Mustafa kishte treguar për postin e Presidentit që do të iu takonte atyre në ujdinë qeverisëse që e arriti me Vetëvendosjen.
Kjo pikë nuk u realizua sepse “martesa politike” VV-LDK zgjati vetëm 51 ditë./klankosova