Pronari i lokalit ku u vra Mimoza Paja dhe u plagosën 6 të tjerë është në kërkim
Brenda kafazit të xhamtë të Gjykatës së Tiranës duhet të ishte Fatjon Murati për të dëgjuar pretencën e Prokurorisë. 32 vjeçari akuzohet për armëmbajtje në banesë pa lejen e autoriteteve përkatëse. Të Martën organi i akuzës ka kërkuar që Murati të dënohet me 3 vite burg.
Fatjon Murati është pronari i lokalit në “Don Bosko”, ku u qëllua me breshëri automatike dy javë më parë, ngjarje nga e cila mbeti viktimë banakierja dhe u plagosën gjashtë vetë të tjerë, mes të cilëve një e mitur.
Gjurma e gishtit e 32 vjeçarit u gjet në kutinë e një pistolete që u kap së bashku me një arsenal armësh, më 13 Korrik, në shtëpitë e Kristian Gjinit. Fatjon Murati u arretua në 4 Tetor të 2022, pasi u gjet në një makinë të blinduar së bashku me Indrit Doklen dhe Gentian Reçin. Dy miqtë e tij u liruan ndërsa ai u vu në pranga. Ai vazhdon të jetë në kërkim, pasi ka thyer vendimin e gjykatës.
Por, Murati nuk qëndroi shumë kohë në qeli pasi pas 2 muajve, Gjykata i ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest në shtëpi. Pas ngjarjes së 12 Marsit, Murati do të shpallet në kërkim për mosrrespektim të vendimit të gjykatës. Atentati në lokalin e Muratit në Don Bosko ka motiv hakmarrjen. Hetuesit kanë dyshime se atentati ka lidhje me masakrën e Fushë-Krujës më 17 Korrik, ku humbën jetën Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Fatjon Murati ka qenë ndër personat e dyshuar dhe është pyetur për këtë çështje.
Klan News