FBI po kryen hetimet për shembjen e urës Francis Scott Key në Baltimore.
Hetimi do të shqyrtojë rrethanat që çuan në ngjarjen e rëndë ndërsa një pjesë tjetër e hetimit përfshin edhe faktin nëse ka pasur informacione nga pjestarët e ekuipazhit se anija kishte probleme të mundshme mekanike. Agjentët e FBI-së po mbledhin prova fizike dhe të dhëna nga brenda anijes në lidhje me momentet para, gjatë dhe pas përplasjes. Hetimi vjen pasi kryebashkiaku i Baltimores Brandon Scott njoftoi se autoritet po ndërmarrin “hapa ligjore” për të nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës.
Një anije e madhe mallrash u largua nga porti i Baltimores në orët e para të 26 marsit dhe humbi kontrollin nga mungesa e energjisë duke goditur më pas një nga kolonat mbështetëse të urës. Shembja e urës fundosi një grup punonjësish të ndërtimit në ujërat me temperaturë të ulët të lumit Patapsco.
Zhytësit nxorrën tre trupa nga uji, ndërsa trupat e tre viktimave të tjerë ende nuk janë gjetur.
Ndërkohë, presidenti Joe Biden ka theksuar se qeveria do të punojë për të rindërtuar urën sa më shpejt të jetë e mundur, pasi Porti i Baltimores është një pjesë kryesore e ekonomisë amerikane dhe është porti më i ngarkuar për importet dhe eksportet e makinave.
Klan News