Nëse femrat do të drejtonin çdo shtet të botës do të kishte një përmirësim të madh të standardeve të jetesës. I këtij mendimi është ish-Presidenti amerikan Barack Obama.

Duke folur në Singapor, ai tha se femrat nuk janë perfekte, por janë “padiskutim më të mira” sesa meshkujt.

Siç shkruan BBC, Obama u shpreh se pjesa më e madhe e problemeve në botë kanë ardhur nga njerëz në moshë, kryesisht meshkuj të cilët nuk e lëshojnë pushtetin.

Ai foli gjithashtu për polarizimin politik dhe përdorimin e mediave sociale për të shpërndarë të pavërteta.

Duke folur në një event privat për lidershipin, Obama tha se teksa mbante detyrën e Presidentit, kishte menduar shpesh sesi do të dukej një botë e drejtuar nga femrat.

“Jam absolutisht i bindur se nëse çdo shtet i botës do të drejtohej për 2 vjet nga një grua, do të kishte një përmirësim të dukshëm në çdo aspekt… si në standardet e jetesës, ashtu edhe të të ardhurave”, tha Obama.

I pyetur nëse do ta konsideronte që t’i rikthehej lidershipit politik, ai tha se besonte në liderët që tërhiqen në kohën e duhur.

“Është e rëndësishme për liderët politikë që të përpiqen dhe t’i kujtojnë vetes se janë aty për të bërë një punë, por nuk janë aty përjetë”, tha ndër të tjera ish-Presidenti amerikan.

Barack Obama ishte President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga viti 2009 deri në 2017-n.

Qëkur u largua nga Shtëpia e Bardhë, sëbashku me ish-Zonjën e Parë, Michelle Obama, ata kanë ngritur një fondacion për këshillimin e liderëve të rinj nëpër botë./tvklan.al