Sejko: Nuk është i përhapur, raste të izoluara
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pranoi fenomenin e dhënies së huave në të zezë, apo siç njihen ndryshe fajdet, borxhe që jepen nga institucione të palicensuara, por siguroi se ai nuk është i shtrirë në përmasa shqetësuese e që të konkurrojnë sistemin bankar.
Kreu i bankës qëndrore Gent Sejko raportoi edhe një sërë masash që institucioni i Bankës së Shqipërisë po merr për të reduktuar qarkullimin e parasë cash dhe nxitjen e pagesave elektronike.
Së shpejti vetë Banka do të ofrojë sistemet e saj për qarkullimin e transfertave në Euro, duke sjellë komisione më të ulta për qytetarët.
Në nisje të vitit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dha mesazhe optimiste se aktiviteti ekonomik po rikuperohet dhe niveli i punësimit është në të njëjtën shkallë me atë përpara pandemisë. Bordi vlerëson se nëse nuk ka përkeqësim të situatës epidemiologjike, ekonomia do të rritet me ritme të shpejta në 2 vitet e ardhshme.
Në këtë situatë, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit të lekut në 0.5%, ndërsa do ta ulë atë nëse risqet shtohen, aktiviteti kreditues ngadalësohet ose rriten kostot për huamarrësit.
Tv Klan